Gratë që vuajnë nga inkontinenca urinare mund të kenë një rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës, sipas një studimi të ri.
Gratë që kanë vështirësi në kontrollin e fshikëzës kanë më shumë gjasa të kenë faktorë rreziku të lidhur me problemet e shëndetit të zemrës, përfshirë diabetin e tipit 2 dhe kolesterolin e lartë, raportuan studiuesit në revistën “Journal of Preventive Medicine”.
Rezultatet tregojnë gjithashtu se ato kanë më shumë gjasa të kenë pësuar një goditje në tru ose të kenë pasur nevojë për operacion bajpasi në zemër, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Ekziston një lidhje midis inkontinencës dhe rrezikut për sëmundje kardiovaskulare (CVD),” përfundoi ekipi kërkimor i udhëhequr nga Lisa VanWiel, profesoreshë asistente në Universitetin e Wisconsin-La Crosse.
“Gratë duhet të kontrollohen rregullisht për inkontinencë, pasi ajo mund të kontribuojë në rrezikun për CVD, dhe gratë me faktorë rreziku për CVD duhet të kontrollohen për inkontinencë të padiagnostikuar,” shtuan studiuesit.
Sipas të dhënave paraprake, deri në 60 për qind e grave preken nga inkontinenca urinare.
Për këtë studim, studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të mbi 20,000 grave të trajtuara në sistemin shëndetësor Hartford Healthcare në Connecticut midis korrikut 2022 dhe qershorit 2024.
Nga këto gra, më shumë se 5 për qind raportuan se kishin inkontinencë urinare.
Gratë me inkontinencë urinare kishin:
– 25% më shumë gjasa të kishin diabet të tipit 2.
– 37% më shumë gjasa të kishin kolesterol të lartë.
– 55% më shumë gjasa të kishin pësuar një goditje në tru.
– Më shumë se tre herë gjasa të kishin pasur nevojë për operacion bajpas në arteriet koronare.
Studiuesit hamendësojnë se inkontinenca mund t’i pengojë gratë të mbajnë nivele të mjaftueshme të aktivitetit fizik, gjë që ndikon në faktorët e rrezikut për sëmundje të zemrës.
Megjithatë, ky studim nuk gjeti ndonjë lidhje midis niveleve të aktivitetit fizik dhe inkontinencës te gratë.
Nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar pse inkontinenca mund të ndikojë në faktorët e rrezikut për shëndetin e zemrës, thanë studiuesit. /Gazeta Shneta/


