Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur pakënaqësinë e tij me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Haradinaj ka deklaruar kështu gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ku Ismaili nuk mori pjesë, shkruan Gazeta Shneta.
Deputetët kishin përgatitur pyetje për dikasterin të cilin e udhëheq Ismaili, por mbetën pa përgjigje për shkak të mungesës së tij.
Haradinaj ka thënë se është i pakënaqur me mungesën e ministrit të PDK-së në seancë.
“Jam edhe unë i pakënaqur që nuk është në seancë. Çdo ministër që nuk vjen në seancë është kundër përcaktimit tim dhe të Qeverisë, si do të veprojmë ndaj tyre do ta përcaktojmë së bashku por nuk është në rregull mos me ardh ministrat në pjesën që u dedikohet atyre”, ka thënë Haradinaj, duke paralajmëruar edhe masa ndaj ministrave që mungojnë.
“Ua kam thënë këtë edhe në Qeveri, ua kam thënë edhe kryetarëve të partive të koalicionit, le të jetë kjo vërejtja ime e fundit, të gjithë duhet të vijnë në seancë”, ka deklaruar kryeministri. /Gazeta Shneta/