Nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës Astrit Haxhijaha, farmacist klinik, ka bërë thirrje për fuqizimin e rolit të farmacisë klinike në institucionet publike dhe të jenë prezent edhe në spitalet private.
Haxhijaha ka thënë se jo të gjithë specialistët e farmacisë klinike janë të punësuar në institucionet publike, por edhe ata që janë e kryejnë detyrën e farmacistit, shkruan Gazeta Shneta.
“Si OFK jemi angazhuar që disa vite vazhdimisht për sistemimin e farmacistëve klinikë por deri më tani nuk kemi asnjë rezultat konkret. Dhjetë prej tyre janë të punësuar në QKUK por kryejnë detyrat e farmacistit, por jo të farmacistit klinik”, ka deklaruar ai.
Haxhijaha ka thënë gjithashtu se kërkesë e tyre është që të përfshihen në legjislacionin për licencimin e institucioneve private, që farmacistët klinikë të jenë prezent sikurse biokimistët.
“Ne kemi kërkuar nga deputetët por edhe nga institucionet tjera që farmacistët klinikë të jenë prezent në legjislacionin për licencimin e spitaleve private. Nëse nuk po na lejohet që të ushtrojmë profesionin tonë në institucionet publike, atëherë së paku të na mundësohet në institucionet private. Në Maqedoninë Veriore në dy spitale private ka të punësuar farmacist klinikë. Në Kroaci dhe Slloveni me ligj e kanë të përcaktuar hapjen e ordinancës specialistike të farmacisë klinike”, ka deklaruar Haxhijaha.
Sot është organizuar tryezë diskutimi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës me rastin e Ditës Botërore të Farmacistit. /Gazeta Shneta/




