Një studim i ri i publikuar në revistën JAMA Otolaryngology–Head & Neck Surgery tregon se humbja e ndjesisë së nuhatjes tek të moshuarit lidhet me rrezik të shtuar për vdekje dhe zhvillim të demencës.
Hulumtimi, i bazuar në të dhëna nga mbi 2,500 pjesëmarrës në kuadër të Studimit Kombëtar Suedez për Plakjen dhe Kujdesin në Kungsholmen, sugjeron se testimi i nuhatjes mund të shërbejë si një tregues i hershëm i rënies së përgjithshme shëndetësore.
Rezultatet zbulojnë se çdo përgjigje e pasaktë në një test me 16 aroma të ndryshme lidhej me një rritje prej 6% të rrezikut për vdekje brenda gjashtë viteve dhe 5% brenda dymbëdhjetë viteve. Lidhjet më të forta u vunë re te vdekjet nga sëmundjet neurodegjenerative, kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Demenca rezultoi të jetë faktori më i rëndësishëm që ndërmjetëson këtë lidhje, duke përbërë rreth një të katërtën e rrezikut të vërejtur. Në këtë rrezik kontribuan gjithashtu dobësia fizike dhe kequshqyerja.
“Sensi i nuhatjes nuk është vetëm një shqisë – është një dritare drejt gjendjes së përgjithshme shëndetësore dhe qëndrueshmërisë gjatë plakjes,” u shpreh Dr. Ingrid Ekström nga Qendra për Kërkime mbi Plakjen, pjesë e Universitetit Karolinska.
Studiuesit rekomandojnë që testet e nuhatjes të përfshihen në kontrollet rutinë për të moshuarit, krahas atyre për shikimin dhe dëgjimin./Gazeta Shneta/


