Presbiopia, ose vështirësia për të parë nga afër që shfaqet me moshën, prek rreth 1.8 miliardë njerëz në botë.
Së fundmi, opsion i ri janë edhe pikat e syve, me emer tregtar “Vuity”, të miratuara nga FDA në vitin 2021, që përmbajnë pilokarpinë hidroklorid.
Një studim i ri, i paraqitur në Kongresin Europian të Kataraktit dhe Kirurgjisë Refraktive, tregoi se një formulë e re që kombinon pilokarpinën me diklofenak (një anti-inflamator jo steroid) përmirësoi ndjeshëm shikimin afër, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu 766 persona me presbiopi, të trajtuar dy herë në ditë me pika në përqendrime të ndryshme të pilokarpinës.
Sipas autores kryesore, Dr. Giovanna Benozzi, pikat ndihmojnë syrin të rikuperojë aftësinë natyrore për të fokusuar nga larg në afër, duke vepruar si mbi muskulin ciliar, ashtu edhe mbi irisin. Ky mekanizëm përmirëson fokusin pa pasur nevojë për syze.
Në përfundim, të gjithë pjesëmarrësit arritën të lexonin me qartësi funksionale afër, ndërsa ata me presbiopi të lehtë ose të mesme arritën shikim normal duke shmangur syzet.
Për më tepër, efekti i trajtimit zgjati mesatarisht 434 ditë dhe deri në 2 vite, duke dëshmuar qëndrueshmëri të gjatë.
Studiuesit theksojnë se kombinimi pilokarpinë–diklofenak ofron një opsion farmakologjik të sigurt dhe efektiv për trajtimin e presbiopisë, megjithëse kërkohen studime të mëtejshme për ta konfirmuar plotësisht. /Gazeta Shneta/


