Ligji për pandeminë është publikuar në Gazetën Zyrtare, që i bie se nga dita e sotme ka hyrë në fuqi. Në këtë ligj janë përcaktuar kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë pandemisë, si dhe masat dhe ndëshkimet për personat që nuk i respektojnë.
Sipas këtij ligji personat që nuk vendosin maskën ose nuk e respektojnë distancën fizike, gjobiten me nga 35 euro. Poashtu qytetarët që nuk e respektojnë ndalimin e qarkullimit dënohen me 200 euro, shkruan Gazeta Shneta.
“Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro”, thuhet tutje.
Në ligj janë të parapara edhe dënime për personat që kryejnë aktivitete që janë të ndaluara në mjedise private dhe publike.
Me 2 mijë euro gjobë dënohet personi që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me 2000 euro.
“Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit. Hyrja e personave fizik të paautorizuar në ambientet e veçanta përfshirë por pa u kufizuar në: objektet e izolimit apo karantinimit publik, privat, hapësirat shëndetësore, ku është e ndaluar hyrja/dalja pa vendim të veçantë, dënohet me gjobë prej njëqind (100) euro”, thuhet tutje.
Kushdo që është i dyshuar apo konfirmuar me COVID 19 mund të dënohet në rast se nuk e respekton izolimin dhe karantinën.
“Personi i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë: 1.1. Personi i vendosur në izolim apo karantinë sipas vendimit të organit kompetent i cili nuk i zbaton rregullat e përcaktuara gjatë kohës së qëndrimit në izolim/karantinë apo tenton të largohet nga izolimi/karantina dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si dhe rikthimin në izolim apo karantinim; 1.2. Personi i cili hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro”.
Ligjin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU. /Gazeta Shneta/