Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), në bashkëpunim me Forumin për Dialog me Organizatat e Shoqërisë Civile (OShC) organizoi një tryezë diskutimi mbi sfidat e shëndetit mendor të personave të moshuar në Kosovë.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj theksoi rëndësinë simbolike dhe historike të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar se mbrojtja e dinjitetit njerëzor duhet të mbetet prioritet për të gjitha institucionet dhe shoqërinë, thuhet në komunikatën zyrtare të lëshuar nga IAP.
Ai sqaroi se ndonëse ka përpjekje institucionale, sfidat në fushën e shëndetit mendor veçanërisht për qytetarët e moshës së tretë – mbeten të mëdha.
Gjatë ngjarjes u prezantua raporti “Shëndeti mendor i personave të moshuar: Detyrimi i shtetit për përkujdesje, mbrojtje dhe dinjitet dhe roli i Avokatit të Popullit”, i cili nxori në pah probleme të rëndësishme që duhet të adresohen tutje.
Ndër to, u evidentua kriteri diskriminues i kufizimit të moshës deri në 65 vjeç për pranimin në institucione rezidenciale, në kundërshtim me ligjet për shërbime sociale dhe për mbrojtje nga diskriminimi. Po ashtu, mungesa e akteve nënligjore të Ligjit për Shëndetin Mendor po pengon zbatimin e tij dhe krijon hapësirë për praktika diskriminuese ndaj personave mbi 65 vjeç.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, profesionistë të shëndetësisë dhe organizata të shoqërisë civile. /Gazeta Shneta/



