Në një komunikatë për media, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka bërë të ditur se nga mostrat e ujit të marra nga rajoni i Deçanit janë gjetur disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.
E diela e 11 korrikut të këtij viti rezultoi të jetë shqetësuese për banorët e komunës së Deçanit.
Një numër i konsiderueshëm i banorëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Deçan, të cilët kishin simptoma si vjellje dhe barkqitje shkruan Gazeta Shneta.
Me të pranuar këtë shqetësim, ekipet e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike në Pejë kanë dal në terren për të marr mostrat e ujit të pijes nga rrjeti i ujësjellësit, i cili furnizon këto fshatra me ujë për pije.
Pas marrjes së mostrave janë kryer analizat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike.
Si rezultat është dëshmuar se analizat janë në kufijtë e lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuar sipas UA 16/2012.
“Rezultatet e analizave dëshmuan që nuk ka mbetje të klorit residual derisa analizat mikrobiologjike të ujit i përgjigjeshin standardeve të ujit për pije UA 16/2012.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Në anën tjetër, më datën 12.07.2021, nga mostrat e ujit të marra nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese, përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKSHPK – Prishtinë, janë gjetur disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.
“Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.”
Meqenëse, ekipet e IKSHPK-së nga të gjitha rajonet e Kosovës janë duke vazhduar punën ne terren për identifikimin e shkakut të shpërthimit epidemik, çdo ndryshim do të rezultojë me rekomandime të reja.
Sipas IKSHPK-së, këto rekomandime përfshijnë:
-Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitar dhe shëndetësore për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësin e të dhënave për pacientët;
-Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitarë dhe mjedisorë në identifikimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit;
-Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale, deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës se Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale;
-Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje te ushqimit;
-Pas rikthimit të ujit në rrjetë rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri;
-Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin dhe të shtojë inspektimin e resurseve ujore, kontrollin e kaptazhave dhe pusetave të ujit dhe në secilin rast individual të intervenohet menjëherë sipas nevojës;
-Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe për parandalimin e epidemive hidrike;
-Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojn nyjet e kanalizimeve, të gjejnë pikat e dobëta në rrjet, ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike;
-Të ndalohet rreptësisht kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellesit;
-Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë./GazetaShneta/