Një ilaç i ri për trajtimin e astmës, tezepelumab (Tezspire), mund të ndihmojë pacientët të reduktojnë përdorimin e tabletave me steroid, duke mbajtur njëkohësisht nën kontroll sulmet e astmës, tregojnë rezultatet e një studimi klinik.
Sipas të dhënave të publikuara, rreth 7 nga 10 pacientë që morën këtë terapi arritën të ulnin dozën e steroideve me 50% ose më shumë, ndërsa mbi një e treta e tyre ndaluan plotësisht përdorimin e tyre.
Studiuesit theksojnë se pacientët që morën tezepelumab kishin pothuajse tri herë më shumë gjasa për të reduktuar ndjeshëm përdorimin e steroideve, krahasuar me grupin që mori placebo.
Ilaçi vepron duke bllokuar një proteinë inflamatore që lidhet me shkaktarë të ndryshëm të sulmeve të astmës, duke ndihmuar në parandalimin e krizave respiratore.
Në studim morën pjesë 122 pacientë me astmë të rëndë, të cilët përdornin terapi me steroide. Gjatë periudhës së trajtimit prej 28 javësh, 69% e pacientëve në grupin e trajtuar arritën ulje të konsiderueshme të dozës së barnave, ndërsa në grupin placebo kjo shifër ishte 44%.
Gjithashtu, 35% e pacientëve që morën ilaçin arritën të ndërprisnin plotësisht terapinë me steroid, krahasuar me 21% në grupin tjetër.
Studiuesit theksojnë se përdorimi afatgjatë i steroideve mund të sjellë pasoja serioze shëndetësore, përfshirë diabetin, osteoporozën dhe sëmundje kardiovaskulare./Gazeta Shneta/


