FDA miratoi kohët e fundit Zepbound, një ilaç i ri injektues për menaxhimin e humbjes së peshës, por si përshtatet ai me ilaçin ultra-popullor të diabetit/humbjes së peshës Ozempic?
Gjatë vitit të kaluar, ilaçet si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro kanë provuar të jenë shumë efektive për humbjen e peshës dhe menaxhimin e diabetit, shkruan Health News përcjell Gazeta Shneta.
Popullariteti i tyre i vazhdueshëm në mesin e njerëzve që duan të humbin peshë ose të menaxhojnë diabetin ka nxitur konkurrencën e nxehtë midis kompanive farmaceutike për të zhvilluar pretendentin tjetër të madh për humbjen e peshës.
Më 8 nëntor, një tjetër ilaç i ri për humbje peshe i ashtuquajturi Zepbound (me substancë aktive tirzepatide) – fitoi miratimin e FDA.
Ky medikament i ri, i prodhuar nga kompania Eli Lilly, është miratuar për menaxhimin kronik të peshës tek të rriturit me obezitet ose që janë mbipeshë dhe që gjithashtu kanë të paktën një gjendje shëndetësore të lidhur me peshën, si kolesteroli i lartë, diabeti i tipit 2 ose presioni i lartë i gjakut.
Megjithëse emri i ilaçit ndryshon, substanca aktive është e njëjta që gjendet në ilaçin Mounjaro.
Por si krahasohet ilaçi Zepbound me Ozempic dhe medikamente të tjera që aktualisht dominojnë tregun e barnave për humbje peshe?
Çfarë është Zepbound?
Zepbound aktivizon receptorët hormonal GIP (polipeptid insulinotropik i varur nga glukoza) dhe GLP-1 (peptid-1 i ngjashëm me glukagonin). Ai administrohet me injeksion një herë në javë dhe vjen në gjashtë doza të ndryshme, nga 2.5 në 15 mg.
Njerëzit pa diabet që merrnin dozën më të lartë të Zepboundit ndërkohë që angazhoheshin në një plan diete dhe stërvitje humbën mesatarisht 48 kilogramë gjatë një prove 72-javore.
Si ndryshon Zepbound nga Mounjaro?
Ndërsa të dy medikamentet kanë të njëjtin përbërës aktiv, Mounjaro është miratuar për menaxhimin e diabetit dhe Zepbound është miratuar për humbje peshe.
“Zepbound është saktësisht i njëjtë me Mounjaro,” tha për Healthnews, Dr. Mitchell Roslin, një kirurg bariatrik i certifikuar nga bordi dhe shef i Kirurgjisë Bariatrike në Spitalin Northwell Lenox Hill në New York City.
Roslin thotë se për shkak të etiketimit të FDA-së, Zepbound tregtohet për një indikacion tjetër dhe prodhuesi i ilaçeve e bën këtë për arsye monetare.
A është Zepbound më efektiv se Ozempic ose Wegovy?
Dr. Roslin thotë se medikamentet si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound janë të gjitha shumë efektive. Megjithatë, në provat klinike, Mounjaro, i cili ka të njëjtin përbërës aktiv si Zepbound, u duk se ishte pak më superior për humbjen e peshës.
Megjithatë, Dr. Roslin vëren se këto medikamente mund të mos jenë alternativa më e mirë për disa njerëz.
“Krahasuar me kirurgjinë bariatrike, shumica e njerëzve në këto prova [ilaçe për humbje peshe] kishin obezitet të klasës së parë dhe të dytë, jo obezitetit të klasës së lartë tre,” shpjegoi Dr. Roslin.
Pra, Dr. Roslin sqaron se për disa njerëz, këto ilaçe nuk do të jenë përgjigja për obezitetin e rëndë.
Efektet anësore të mundshme të Zepbound
Sipas FDA-së, Zepbound mund të shkaktojë nauze, diarre, të vjella, kapsllëk, parehati në stomak, reaksione në vendin e injektimit, lodhje, reaksione alergjike, gromësirë, humbje flokësh dhe sëmundje të refluksit gastroezofageal.
Zepbound gjithashtu ka shkaktuar tumore të qelizave C të tiroides tek minjtë, por është e paqartë nëse ilaçi mund të çojë në kancer tiroide te njerëzit.
Informacionet rreth efekteve anësore të ilaçit përfshin gjithashtu paralajmërime në lidhje me potencialin e pankreatitit, sheqerit të ulët në gjak, dëmtimit akut të veshkave, llojeve specifike të dëmtimit të retinës dhe mendimeve ose sjelljeve vetëvrasëse. /Gazeta Shneta/