Brazili është shtëpia e disa prej njerëzve më jetëgjatë në botë, përfshirë tre nga dhjetë burrat më të moshuar që kanë kaluar moshën 110-vjeçare.
Një studim i ri shkencor po hedh dritë mbi faktorët që mund të shpjegojnë këtë jetëgjatësi të jashtëzakonshme dhe gjendjen e mirë shëndetësore të shumë prej tyre.
Në një studim të publikuar në revistën “Genomic Press”, studiuesit sugjerojnë se faktorë të veçantë gjenetikë dhe imunologjikë luajnë rol kyç në këtë fenomen.
Ndryshe nga trendet moderne që promovojnë jetëgjatësinë përmes trajtimeve të kushtueshme, suplementeve apo metodave të njohura si “bio-hacking”, shumë brazilianë arrijnë moshë shumë të avancuar pa pasur akses në kujdes të sofistikuar shëndetësor.
Sipas shkencëtarëve, synimi kryesor nuk është vetëm zgjatja e jetës, por ruajtja e shëndetit për sa më shumë vite.
Personat që jetojnë mbi 100 vjet pa u prekur nga sëmundje serioze si demenca, sëmundjet kardiovaskulare apo kanceri, përbëjnë një burim të rëndësishëm studimi për mjekësinë moderne.
Një nga mekanizmat kryesorë lidhet me aftësinë e organizmit për të mirëmbajtur proteinat. Tek superqindvjeçarët, trupi eliminon proteinat e dëmtuara po aq efektivisht sa tek personat shumë më të rinj.
Po ashtu, sistemi imunitar duket se përshtatet me kalimin e viteve dhe bëhet më rezistent ndaj infeksioneve dhe inflamacionit kronik.
Studiuesit theksojnë edhe rëndësinë e “gjenetikës së favorshme”. Disa individë mbartin variante të rralla gjenesh që ndihmojnë në stabilitetin gjenetik, funksionimin më të mirë të qelizave dhe mbrojtjen imunitare.
Sipas autorëve, studimi i këtyre rasteve mund të ndihmojë shkencën të kuptojë më mirë procesin e plakjes dhe të zhvillojë strategji për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme për të gjithë. /Gazeta Shneta/


