Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Infektologia Kurteshi: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e infeksioneve, higjiena mbetet mbrojtja më e mirë

Lajme 21/07/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Stina e verës krijon kushte të favorshme për përhapjen e infeksioneve virale, bakteriale dhe helmimeve ushqimore, të nxitura nga temperaturat e larta, ushqimi i kontaminuar dhe ekspozimi më i madh në ambiente publike.

Në rubrikën “Mjeku i Javës”, infektologia Dr. Mirvete Kurteshi flet për infeksionet më të shpeshta të verës, mënyrat e parandalimit dhe rastet kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore.

Intervista e plotë: 

Gazeta Shneta: Pse infeksionet janë më të shpeshta gjatë stinës së verës dhe cilët faktorë ndikojnë në përhapjen e tyre?

Dr. Mirvete Kurteshi: Stina e verës, përveç motit të ngrohtë dhe aktiviteteve rekreative, krijon kushte ideale për shumimin dhe përhapjen e mikroorganizmave. Temperaturat e larta, lagështia, ekspozimi ndaj ujit të kontaminuar, konsumimi i ushqimit jashtë shtëpisë, udhëtimet dhe përdorimi i kondicionerëve ndikojnë në rritjen e rrezikut për infeksione. Në të njëjtën kohë, djersitja dhe dehidratimi mund të ulin rezistencën e organizmit, duke e bërë atë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve.

Cilat janë infeksionet më të zakonshme që prekin qytetarët gjatë muajve të verës?

Dr. Mirvete Kurteshi: Gjatë verës hasim më shpesh infeksione virale, bakteriale, parazitare, si dhe sëmundje që transmetohen nga insektet dhe rriqrat. Viruset prekin më së shpeshti traktin tretës duke shkaktuar gastroenterite, traktin respirator me ftohje verore, lëkurën me skuqje apo ekzantema dhe më rrallë sistemin nervor qendror, si meningjiti viral apo encefaliti. Ndër viruset më të shpeshta janë enteroviruset, noroviruset, rotaviruset, adenoviruset dhe viruset Coxsackie. Nga bakteret më të zakonshme janë Salmonella, Escherichia coli, Shigella, Staphylococcus aureus dhe Bacillus cereus.

Cilat janë shkaqet kryesore që çojnë në shtimin e infeksioneve gjatë verës?

Dr. Mirvete Kurteshi: Temperaturat e larta favorizojnë shumimin e baktereve në ushqim dhe në ujë. Viruset përhapen përmes ujit të kontaminuar, rrugëve fekalo-orale dhe kontaktit të afërt ndërmjet njerëzve. Mungesa e higjienës së duarve, konsumimi i ushqimit të ruajtur në temperatura të papërshtatshme dhe aktivitetet e shumta gjatë verës ndikojnë në shtimin e rasteve.

Helmimet ushqimore janë të shpeshta në këtë periudhë. Cilat ushqime paraqesin rrezikun më të madh dhe si mund t’i parandalojnë qytetarët këtë rrezik?

Dr. Mirvete Kurteshi: Më të rrezikshme janë produktet me bazë qumështi, vezët, mishi dhe produktet e mishit që nuk janë gatuar ose ruajtur si duhet. Edhe pemët dhe perimet e palara mund të jenë burim infeksioni. Kontaminimi ndodh përmes duarve të papastra, mjeteve të ndotura të kuzhinës, gatimit të pamjaftueshëm dhe ruajtjes së ushqimit në temperatura jo të përshtatshme. Prandaj rekomandohet gatim i plotë, ruajtje në frigorifer dhe larje e kujdesshme e ushqimeve.

Cilat janë simptomat që tregojnë se një person nuk ka thjesht një shqetësim kalimtar, por duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore?

Dr. Mirvete Kurteshi: Ndihma mjekësore duhet kërkuar nëse temperatura vazhdon për më shumë se dy ose tre ditë, nëse ka dhimbje të forta barku, të vjella të vazhdueshme, diarre të rëndë, shenja dehidratimi si gojë e thatë, urinim i pakët, marramendje apo përgjumje, si dhe nëse simptomat përkeqësohen ose shfaqen çrregullime neurologjike.

Në verë shumë qytetarë frekuentojnë pishina, liqene dhe lumenj. A ekziston rreziku i marrjes së infeksioneve nga uji dhe si mund të mbrohen?

Dr. Mirvete Kurteshi: Po, ekziston rreziku, sidomos në ujërat e kontaminuara. Uji mund të transmetojë gastroenterite virale dhe bakteriale, infeksione të syve, të lëkurës dhe të veshëve. Qytetarët duhet të shmangin gëlltitjen e ujit gjatë notit, të bëjnë dush pas larjes dhe të zgjedhin ambiente që plotësojnë standardet higjienike.

Pickimet nga rriqrat dhe insektet janë një tjetër shqetësim gjatë verës. Çfarë sëmundjesh mund të transmetohen dhe cilat janë shenjat që nuk duhen neglizhuar?

Dr. Mirvete Kurteshi: Rriqrat mund të transmetojnë sëmundje të ndryshme infektive, ndërsa insektet mund të jenë bartës të infeksioneve të caktuara varësisht nga zona gjeografike. Pas një pickimi duhet kushtuar vëmendje skuqjes që zgjerohet, temperaturës, dhimbjeve të muskujve dhe nyjave apo simptomave neurologjike. Në raste të tilla rekomandohet konsultimi me mjekun.

Cilat grupe të popullsisë janë më të rrezikuara nga infeksionet verore dhe kërkojnë kujdes të veçantë?

Dr. Mirvete Kurteshi: Më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, diabetikët, si dhe punëtorët që punojnë për periudha të gjata në ambiente të hapura dhe ekspozohen ndaj diellit dhe dehidratimit.

Shpesh qytetarët përdorin antibiotikë pa konsultë me mjekun. Sa problematike mbetet ky fenomen dhe cilat janë pasojat?

Dr. Mirvete Kurteshi: Përdorimi i antibiotikëve pa indikacion mjekësor është një problem serioz. Shumica e infeksioneve virale nuk trajtohen me antibiotikë dhe përdorimi i tyre pa nevojë kontribuon në rezistencën bakteriale, duke e bërë trajtimin e infeksioneve bakteriale gjithnjë e më të vështirë. Antibiotikët duhet të përdoren vetëm me rekomandimin e mjekut.

Cilat masa të thjeshta të higjienës dhe kujdesit personal do të rekomandonit për të ulur rrezikun e infeksioneve gjatë ditëve të nxehta?

Dr. Mirvete Kurteshi: Rekomandoj larjen e rregullt të duarve me ujë dhe sapun, konsumimin e ujit të pastër, gatimin dhe ruajtjen korrekte të ushqimit, larjen e frutave dhe perimeve, shmangien e ushqimit të pasigurt, përdorimin e mjeteve mbrojtëse nga dielli dhe insektet, si dhe mbajtjen e higjienës personale dhe të ambientit ku jetojmë.

Cili do të ishte mesazhi juaj për qytetarët që të kalojnë një verë sa më të sigurt nga pikëpamja e shëndetit infektiv?

Vera duhet të jetë periudhë pushimi dhe jo sëmundjeje. Me masa të thjeshta parandaluese, higjienë të mirë personale, ushqim të sigurt, hidratim të mjaftueshëm dhe kujdes gjatë ekspozimit në diell dhe në ujë, shumica e infeksioneve verore mund të parandalohen. Nëse shfaqen simptoma të rënda ose të zgjatura, qytetarët nuk duhet të vetëtrajtohen, por të kërkojnë ndihmë profesionale mjekësore.

– Dr. Mirvete Kurteshi, infektologe

/Gazeta Shneta/

Artikulli paraprak‘Rreth 90% e sipërfaqeve të mbjella u dëmtuan nga breshëri i fuqishëm që goditi dje Istogun’
Artikulli i rradhës MSh kontrakton barna për sëmundje të rralla me vlerë mbi 3.7 milionë Euro

Ju sugjerojmë

IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

21/07/2026 Lajme

Peticion me 110 mijë nënshkrime kërkon gjashtë muaj pushim të lehonisë në Zvicër

21/07/2026 Këshilla për shtatzëna

Arratiset një person i ndaluar gjatë trajtimit mjekësor në Suharekë

21/07/2026 Lajme

Time Kadrijaj i bashkohet sfidës së Burim Ramadanit, e kryen narko-testin

21/07/2026 Lajme

U dërgua në gjendje të rëndë në spital pas zhytjes, vdes turistja 30-vjeçare në Vlorë

21/07/2026 Lajme

IHMK: Pasdite mund të ketë stuhi afatshkurtra, rrebeshe dhe mundësi breshëri

21/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.