Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin janar 2026, sipas të cilave norma vjetore e inflacionit ka arritur në 5.8 për qind.
Sipas raportit, niveli i çmimeve në janar 2026 është rritur mesatarisht për 5.8 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në baza mujore, krahasuar me dhjetorin 2025, inflacioni ka qenë 1.2 për qind.
ASK bën të ditur se rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i biletave të fluturimeve, energjisë elektrike, shërbimeve të furnizimit me ujë dhe shërbimeve të tjera që lidhen me banimin. Po ashtu, rritje është regjistruar edhe te lëndët djegëse të ngurta, si druri dhe peleti, si dhe te shërbimet hoteliere.
Në grupin e produkteve ushqimore, rritje të ndjeshme çmimesh janë evidentuar te mishi, qumështi, djathi dhe vezët, peshqit, si dhe te kafeja, çaji dhe kakaoja.
Sipas ASK-së, çmime më të larta janë shënuar edhe në kategorinë e kujdesit personal dhe produkteve të tjera ushqimore, ndërsa veshjet dhe këpucët kanë pësuar rritje më të moderuar.
Në anën tjetër, rënie e çmimeve është regjistruar te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me një ulje prej 7.3 për qind në baza vjetore, duke ndikuar në zbutjen e rritjes së përgjithshme të indeksit.
Sipas ASK-së, edhe inflacioni mujor prej 1.2 për qind në janar është nxitur nga shtrenjtimi i biletave të fluturimeve, furnizimit me ujë, energjisë elektrike, lëndëve djegëse të ngurta dhe perimeve, ndërsa karburantet kanë vazhduar trendin e rënies./Gazeta Shneta/




