Në mbledhjen e 81-të me radhë, Bordi Drejtues i Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka miratuar draft-raportin e punës për vitin 2025, ku janë prezantuar shifrat e shërbimeve ndaj pacientëve në disa njësi përbërëse.
Sipas raportit të prezantuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Elvir Azizi, në Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë vitit 2025 janë realizuar 3706 operime, krahasuar me 2128 në vitin 2024, që përbën një rritje prej rreth 50 për qind.
Në total, numri i operimeve ka shënuar rritje prej 1806 ndërhyrjesh më shumë se një vit më parë, përcjell Gazeta Shneta.
Raporti evidenton gjithashtu rritje në shërbimet diagnostike. Gjatë vitit 2025 janë realizuar mbi 2,000 skanime më shumë me rezonancë magnetike (MRI) dhe CT, ndërsa ekzaminimet me ultrazë dhe EKG kanë shënuar rritje prej mbi 20,000 raste krahasuar me vitin 2024.
Në fushën e ortopedisë, menaxhmenti raportoi për decentralizimin e intervenimeve për proteza të kërdhokullës dhe gjurit, me qëllim uljen e listave të pritjes. Po ashtu, është themeluar grup punues me nefrologë dhe patologë për funksionalizimin e biopsisë së veshkës, e cilësuar si nevojë imediate.
Sa i përket shërbimeve dentare, në kuadër të QKUK-së është raportuar rritje e ndjeshme e implanteve dentare dhe ortodoncisë fikse. Nga 10 implante të realizuara në vitin 2024, në vitin 2025 janë realizuar 96, ndërsa ortodoncia fikse ka shënuar rritje mbi 100 për qind.
Gjatë diskutimeve u trajtua edhe çështja e rritjes së numrit të rasteve në Klinikën e Onkologjisë dhe nevoja për planifikim të qëndrueshëm të furnizimit me barna.
Lista esenciale e barnave është raportuar të jetë përmbushur në 82 për qind, ndërsa Bordi kërkoi sqarime për mosarritjen e nivelit 100 për qind dhe raportim më të detajuar për indikatorët e performancës.
Draft-raporti i punës për vitin 2025 u miratua me votim unanim nga Bordi Drejtues./Gazeta Shneta/



