Një studim i ri sugjeron se gratë që vuajnë nga inkontinenca urinare mund të kenë një rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare.
Hulumtimi i publikuar në revistën “Journal of Preventive Medicine”, tregon se gratë me vështirësi në kontrollin e fshikëzës kanë më shumë gjasa të shfaqin faktorë rreziku të njohur për problemet e zemrës, përfshirë diabetin e tipit 2 dhe kolesterolin e lartë.
Përveç kësaj, ato kishin më shumë gjasa të kishin kaluar një goditje në tru ose të kishin nevojë për operacion bajpasi koronar, shkruan Health Day transmeton Gazeta Shneta.
“Ekziston një lidhje e qartë midis inkontinencës dhe rrezikut për sëmundje kardiovaskulare (CVD),” tha Lisa VanWiel, profesoreshë asistente në Universitetin e Wisconsin-La Crosse dhe udhëheqëse e studimit.
Ajo rekomandon që gratë të kontrollohen rregullisht për inkontinencë, veçanërisht ato me faktorë rreziku për CVD.
Për këtë analizë, studiuesit shqyrtuan të dhënat mjekësore të mbi 20,000 grave të trajtuara në sistemin shëndetësor Hartford Healthcare në Connecticut midis korrikut 2022 dhe qershorit 2024. Rreth 5% e tyre raportuan se kishin inkontinencë urinare.
Krahasuar me gratë pa këtë gjendje, ato me inkontinencë kishin:
– 25% më shumë gjasa për të zhvilluar diabet tip 2;
– 37% më shumë gjasa për të pasur kolesterol të lartë;
– 55% më shumë gjasa për të përjetuar një goditje në tru;
– Më shumë se tre herë gjasa për të pasur nevojë për operacion bajpasi koronare.
Studiuesit sugjerojnë se inkontinenca mund të pengojë aktivitetin fizik, duke ndikuar në shëndetin e zemrës, megjithëse studimi nuk gjeti një lidhje të drejtpërdrejtë midis dy faktorëve. Nevojiten kërkime të mëtejshme për të sqaruar këtë marrëdhënie. /Gazeta Shneta/


