Qendra kombëtare e kontrollit të sëmundjeve të Gjermanisë, raportoi sot një numër rekord të rasteve të reja të koronavirusit, pasi një nga virologët kryesorë të vendit paralajmëroi se do të nevojitej një bllokim tjetër nëse vaksinimet nuk përshpejtohen më tutje.
39,676 rastet e regjistruara nga Instituti Robert Koch, tejkaluan rekordin e mëparshëm ditor prej 37,120 rastesh të reja që u raportuan ditën e premte, shkruan The Guardian përcjell Gazeta Shneta.
Instituti tha se shkalla e infeksionit në Gjermani u rrit në 232.1 raste të reja për 100,000 banorë gjatë shtatë ditëve të fundit.
Spitali Charite i Berlinit tha të martën se duhej të anulonte operacionet e planifikuara për shkak të numrit të anëtarëve të stafit që kujdeseshin për pacientët me COVID-19. Autoritetet kanë thënë se shumica e pacientëve të fundit janë të pavaksinuar.
“Ne kemi një situatë të vërtetë emergjente tani,” tha Christian Drosten, kreu i virologjisë në spitalin Charite, në lidhje me situatën në shumë njësi të kujdesit intensiv spitalor në të gjithë vendin. “Duhet të bëjmë diçka tani.”
Dr. Drosten tha se ai pret “një dimër shumë të vështirë” nëse vaksinimet nuk bëhen shpejt. “Ne ndoshta duhet të kontrollojmë përsëri aktivitetin e infeksionit përmes masave të kontaktit – jo ndoshta, por me siguri,” tha ai. “Ne jemi në një situatë të keqe: kemi 15 milionë njerëz që mund të ishin vaksinuar dhe duhej të ishin vaksinuar,” tha ai. /Gazeta Shneta/