Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka vizituar sot Fakultetin e Mjekësisë në ditën kur po mbahet provimi pranues. Ky fakultet sivjet do ta shtojë numrin e studentëve për mjekësi të përgjithshme nga 150 në 225. Për ironi, Ismaili është shprehur i brengosur për numrin e voglë të mjekëve në Kosovë, ndërsa që dy vite ka lënë studentët e mjekësisë pa specializime duke mos hapur konkursin
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka vizituar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës ku është takuar me Dekanen Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu. Këtë vizitë Ismaili e ka realizuar në ditën e provimit pranues në këtë fakultet, ku është shtuar numri nga 150 në 225 studentë në mjekësi të përgjithshme që do të pranohen sivjet dhe 59 më shumë në infermieri.
Ismaili ka deklaruar se është bërë një angazhim i madh për ta rritur numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për të shtuar numrin e mjekëve. “75 studentë më shumë në Fakultetin e Mjekësisë për më shumë mjekë në dispozicion të qytetarëve. Ju e dini që sot Kosova ka 0.8 mjekë në dispozicion për 1 mijë banorë, ndërkohë vendet e zhvilluara e kanë një mesatare prej 4.2 mjekëve për 1 mijë banorë”, ka thënë ministri Ismaili.
Por për ironi të kësaj deklarate, është vet Ismaili një prej fajtorëve që Kosova ka kaq pak mjek për banorë. Kjo për faktin se prej se ka ardhur ai në krye të MSH-së, gati dy vite, ende nuk është hapur konkursi për specializime. Madje Ismaili as nuk e di se kur do të hapet ky konkurs. Kështu ka deklaruar ai vet gjatë një interviste ditën e djeshme në Institutin Columbus.
Ai nuk ka pranuar të jap afat për shpalljen e konkursit, duke arsyetuar se është ende në proces.
Gazeta edhe më parë ka raportuar për mos hapjen e konkursit për specializime. MSH pati deklaruar se është duke u punuar që të ketë specializim këtë vit, por nuk kanë konfirmuar nëse do të hapet konkursi. /Gazeta Shneta/