Zef Komoni është zgjedhur anëtar i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës. Ai ka qenë i dënuar për korrupsion në vitin 2012
Spitali i Gjakovës do të ketë tre përfaqësues në Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës. Luan Pazhari ka fituar 29 vota, Amir Iljazi 16 vota, ndërsa Zef Komoni ka dal më i votuari me 30 vota, shkruan Gazeta Shneta.
Ky i fundit, Zef Komoni, ka punuar si kryeinspektor në Inspektoratin Shëndetësor, dhe në vitin 2012 ishte dënuar me një vit e tetë muaj burgim për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai akuzohej se sa ishte përgjegjës për inspektimin, nëse klinikat private shëndetësore po respektonin ligjet dhe rregullore e Ministrisë së Shëndetësisë, shqiptoi dhe kërcënoi disa klinika private se do të shqiptonte dënime të majme, me arsyetimin se gjoja ata nuk kishin respektuar rregulloren.
Klinikat mund të evitonin këto dënime vetëm në rast se do të paguanin Komanin për “heshtjen” e tij në ministri, shkruan Gazeta Sinjali.
Madje, Komani ngarkohej se kishte marrë 2 mijë e 500 euro mito nga një klinikë private shëndetësore, në mënyrë që e njëjta ta evitonte një gjobë prej 12 mijë eurosh.
Por, kjo nuk kishte mjaftuar me kaq. Komani pas disa muajsh e kishte telefonuar prapë pronarin e asaj klinike, nga i cili kishte kërkuar 2 mijë e 500 euro të tjera, duke e kërcënuar se do t’i shqiptonte një gjobë të madhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Mirëpo, plani i tij i shkoi huq, pasi që pronari i cili pranoi të takohej me Komanin për t’ia dorëzuar paratë, e kishte njoftuar Policinë për këtë takim, të cilët e arrestuan Komanin për mit-marrje.
Me rastin e arrestimit, Komani ishte arsyetuar se këto para po i merr pronarit të klinikës për t’ia plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e një ordinance të re, që i dëmtuari po planifikonte ta bënte së shpejti.
Edhe avokati i tij në gjykatë ishte arsyetuar se Komani ishte një profesionist i përgjegjshëm, duke cekur raste kur ai kishte shqiptuar gjoba në disa klinika, ku punonin të afërm të tij.
Sidoqoftë, këto arsyetime nuk patën ndikim te trupi gjykues, i cili e shpalli Komanin fajtor dhe e dënoi për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare me një vit e tetë muaj burgim./GazetaSinjali/