Ministri në detyrë Uran Ismaili dhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt janë takuar sot ku kanë biseduar për ardhjen e ekspertëve gjerman të cilët do të ndihmojnë në funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ndër të tjera Ismaili dhe Heldt në konferencën për media i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Shneta lidhur me çështjen e punësimit të infermierëve kosovarë në Gjermani.
Ismaili ka thënë se ky bashkëpunim me Gjermaninë do t’i sjellë të mira Kosovës, sikurse është rasti i ndihmës së ekspertëve për FSSH-në. “Akreditimi dhe certifikimi i infermierëve nga Gjermania do të ndihmojë që ne të marrim një standard gjerman. Ne nuk duhet të frikësohemi se po zhvillohemi me shtetin gjerman dhe ekspertët tanë do të shkojnë të marrin njohuri në Gjermani dhe të kthehen sërish në Kosovë”, ka thënë Ismaili.
Ambasadori Heldt ka deklaruar se procedurat e bashkëpunimit ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës kanë të bëjnë me optimizimin dhe koordinimin ndërmjet dy shteteve për akreditimin, certifikimin dhe licencimin e infermierëve.
“Procesi është duke ndodhur dhe çështja që është diskutuar ndërmjet ministrave është optimizimi i bashkëpunimit dhe koordinimit. Ne kemi sistem federal dhe kemi 16 mënyra të akreditimit të infermierëve. Njerëzit që vijnë nga jashtë duhet të kenë njohuri se çfarë procesi i akreditimit i pret dhe kjo ka qenë një çështje që është biseduar. Kjo është një çështje merr dhe jep dhe ne si Gjermani na mbetet të mësojmë t’i optimizojmë këto procedura”, ka deklaruar Heldt. /Gazeta Shneta/