Izet Sadiku nga LDK e ka quajtur papërgjegjësi kandidimin e Arben Vitisë për kryetar të komunës së Prishtinës, në kohën kur vendi po përballet me shifra të larta të pandemisë Covid-19
Lidhja Demokratike e Kosovës po e vlerëson të dobët menaxhimin e Qeverisë të situatës me pandeminë COVID-19.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se masat e fundit që Qeveria e Kosovës mori për frenimin e koronavirusit, janë të vonshme.
“Qeveria e Kosovës deri më sot ka vaksinuar vetëm 10 për qind të popullatës me dy doza, këto janë të dhëna tejet të ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Para pak ditësh qeveria ka marrë vendimin për disa masa shtesë që përveç që janë të vonuara, nuk ka një plan të mirëfilltë për vaksinimin e pjesës së mbetur te popullatës”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
E mundësinë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i përfolur por ende jozyrtarisht, si kandidat për kryetar i Komunës së Prishtinës, LDK-ja e sheh tepër shqetësuese.
Mjekiqi ka thënë se është situatë e rëndë, aq më tepër nëse kreu i dikasterit të shëndetësisë angazhohet në një aktivitet tjetër.
“Pritjet më të mëdha në këtë kohë të pandemisë janë pikërisht nga ministri i Shëndetësisë, i cili sipas informatave edhe zyrtarisht do jetë kandidat për Komunën e Prishtinës. Në një moment të tillë personi kyç në këtë ministri do të jetë pjesë e fushatës dhe do përkushtohet edhe pozicionit të ri nëse zgjidhet. E shohim tejet shqetësues këtë. Kemi rritje jashtëzakonisht të madhe të përqindjes së qytetarëve të infektuar të qytetarëve, por këto vendime i merr VV-ja, ne shpresojmë që shëndeti i qytetarëve të jetë parësor dhe të ruhet deri të shohim që rreziku nga pandemia nuk do të kanoset më”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Izet Sadiku nga LDK, e ka quajtur papërgjegjësi të Qeverisë dhe të vetë ministrit Vitia, kandidimin e këtij të fundit.
“Po e lë këtë situatë dhe po kandidohet për kryetar të komunës, kjo është mospërgjegjësi nga ministri që ka dhënë fjalë se do ta luftojë dhe nga partia”, ka thënë ai.
Sadiku ka thënë se duhet të ketë vaksinim masiv dhe fushatë të vazhdueshme vetëdijësuese për vaksinim.