Fëmijët dhe adoleshentët nuk duhet të konsumojnë pije me kafeinë, sipas udhëzimeve të reja të një grupi ekspertësh.
Raporti thekson efektet negative të këtij stimuluesi te të rinjtë nën 18 vjeç, përfshirë cilësinë e dobët të gjumit dhe rritjen e tensionit të gjakut, shkruan Health përcjell Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se ndonëse një kafe latte apo pije energjike e rrallë nuk është domosdoshmërisht e dëmshme, konsumimi i rregullt duhet shmangur. Pijet me kafeinë janë bërë gjithnjë e më të përhapura mes adoleshentëve, falë ndikimit të mediave sociale dhe trendeve të krijuara nga influencuesit.
Një sondazh i Spitalit të Fëmijëve C.S. Mott në Michigan zbuloi se rreth 25% e prindërve raportojnë se adoleshentët e tyre konsumojnë kafeinë pothuajse çdo ditë. Burimi më i zakonshëm është soda, pasuar nga kafeja, çaji dhe pijet energjike.
Megjithëse nuk ekzistojnë ende udhëzime federale për përdorimin e kafeinës te fëmijët, Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon shmangien e saj si “zgjedhjen më të mirë”.
Kafeina, e cila stimulon sistemin nervor qendror, mund të rrisë ndjenjën e përqendrimit te të rriturit, por te fëmijët mund të shkaktojë efekte të padëshiruara si pagjumësi, ankth, rritje të tensionit të gjakut dhe çrregullime të humorit.
Sipas Dr. Megan Lott nga programi “Healthy Eating Research”, trupi dhe truri në zhvillim i bëjnë fëmijët më të ndjeshëm ndaj kafeinës. Ajo paralajmëron se konsumimi i tepërt mund të ndikojë në funksionin kognitiv dhe shëndetin mendor të tyre, duke theksuar rëndësinë e edukimit mbi përdorimin e përgjegjshëm të pijeve që përmbajnë kafeinë. /Gazeta Shneta/


