Marrja e mjaftueshme e vitaminës D gjatë shtatzënisë së hershme mund të luajë një rol kyç në zhvillimin dhe shëndetin e foshnjës, sipas një studimi të ri.
E njohur si “vitamina e diellit”, ajo është thelbësore për formimin e kockave dhe funksionimin e sistemit imunitar, shkruan burimi Health Day, përcjell Gazeta Shneta.
Hulumtuesit nga Universiteti Penn State zbuluan se foshnjat e lindura nga gratë me mungesë të vitaminës D kishin më shumë gjasa të lindnin para kohe dhe të kishin peshë më të ulët në lindje, krahasuar me foshnjat e nënave që kishin nivele të mjaftueshme të kësaj vitamine në tremujorin e parë të shtatzënisë.
“Sipas gjetjeve tona, ushqyerja gjatë shtatzënisë së hershme – madje edhe para konceptimit – është jashtëzakonisht e rëndësishme,” tha autorja kryesore e studimit, Celeste Beck, studente doktorature në Penn State.
Bashkëautorja Alison Gernand, profesoreshë e shkencave ushqimore në të njëjtin universitet, shtoi se “ushqyerja e duhur duhet të jetë prioritet për çdo grua që planifikon të mbetet shtatzënë.”
Studimi i publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition”, tregon se trupi prodhon vitaminën D përmes ekspozimit të lëkurës ndaj diellit, por shumë njerëz nuk arrijnë të marrin mjaftueshëm përmes rrezeve diellore apo ushqimit.
Sipas të dhënave të mëparshme, mbi 25% e grave shtatzëna ose në periudhën e laktacionit kanë nivele më të ulëta se sa rekomandohet të vitaminës D – një faktor që mund të ndikojë në zhvillimin e hershëm të foshnjës. /Gazeta Shneta/


