Një studim i ri sugjeron se një filxhan kakao apo çaji, një mollë ose një tas me manaferra mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës te personat që kalojnë shumë kohë ulur — në punë apo para ekranit.
Këto ushqime janë të pasura me flavanole, përbërje natyrale që gjenden në fruta, çaj, arra dhe kokrra kakaoje, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studiuesve nga University of Birmingham në Mbretërinë e Bashkuar, flavanolet mund të parandalojnë problemet e enëve të gjakut që shkaktohen nga mungesa e lëvizjes.
Studimi i botuar më 29 tetor në “The Journal of Physiology”, tregoi se konsumimi i pijeve të pasura me flavanole gjatë periudhave të qëndrimit ulur ndihmon në ruajtjen e fleksibilitetit të arterieve dhe ul rrezikun e rritjes së presionit të gjakut.
Në eksperiment morën pjesë 40 meshkuj të rinj dhe të shëndetshëm, me nivele të ndryshme fitnesi.
Të gjithë pinë një filxhan kakao me përmbajtje të lartë ose të ulët flavanolesh dhe më pas qëndruan ulur për dy orë.
Rezultatet treguan se vetëm ata që konsumuan kakao me shumë flavanole ruajtën elasticitetin e arterieve, pavarësisht nga niveli i tyre i aktivitetit fizik.
Sipas profesoreshës Catarina Rendeiro, përfshirja e ushqimeve me flavanole në dietë – së bashku me pushime të shkurtra për t’u ngritur e për të ecur – mund të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit të zemrës afatgjatë.
Burime të mira flavanolesh janë kakaoja natyrale, çaji i zi e jeshil, mollët, kumbullat, manaferrat dhe arrat. /Gazeta Shneta/


