Një studim i ri i botuar më 29 tetor në revistën “Neurology”, tregon se mjekët mund të parashikojnë se kush rrezikon të humbasë shikimin si pasojë e hipertensionit intrakranial idiopatik (IIH) — një gjendje ku lëngu që rrethon trurin grumbullohet pa shkak të dukshëm, duke rritur presionin brenda kafkës. Nëse nuk trajtohet, kjo sëmundje mund të çojë në verbëri të përhershme.
IIH prek kryesisht gratë e reja mbipeshë. Studiuesit nga University of Southern Denmark zbuluan se ndryshimet në diskun optik — zona e syrit ku lidhet nervi optik me retinën — mund të parashikojnë nëse një pacient do të zhvillojë pika të verbra (scotoma) apo humbje të mprehtësisë vizuale, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu 154 pacientë të trajtuar për IIH në dy qendra dhimbjeje koke në Danimarkë midis viteve 2018–2022, me moshë mesatare 28-vjeç.
Rreth 69% e pacientëve zhvilluan pika të verbra dhe 26% humbje të mprehtësisë së shikimit. Edhe pasi presioni i trurit u ul pas trajtimit, gjysma ruajtën disa deficite vizuale.
Studiuesit identifikuan dy mekanizma kryesorë të dëmtimit të shikimit:
– Dëmtimi i fibrave të nervit optik nga ënjtja (papilledema), që shkakton pika të verbra.
– Dëmtimi i makulës, qendra e retinës, që çon në humbje të mprehtësisë vizuale.
Bazuar në këto gjetje, ekipi krijoi një sistem vlerësimi për të ndihmuar mjekët të parashikojnë pacientët me rrezik të lartë për humbje shikimi.
Sipas profesoreshës Dagmar Beier, ky mjet duhet ende të testohet më gjerësisht përpara përdorimit klinik, por ofron një hap të rëndësishëm drejt diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të verbërisë tek pacientët me IIH. /Gazeta Shneta/


