Neoplazmat malinje janë ndër shkaqet më të shpeshta të vdekshmërisë në Maqedoninë e Veriut, duke u renditur menjëherë pas sëmundjeve të sistemit qarkullues, thuhet në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik.
Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën 2010–2024, shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje ka shënuar rritje, duke kaluar nga 180,3 vdekje për 100.000 banorë në vitin 2010, në 217 vdekje për 100.000 banorë në vitin 2024.
Raporti tregon se mortaliteti nga kanceri është dukshëm më i lartë te meshkujt sesa te femrat, në të gjitha grupmoshat.
Veçanërisht shqetësuese mbetet situata te popullsia mbi moshën 65 vjeç, ku shkalla e mortalitetit ka lëvizur nga 881,1 për 100.000 banorë në vitin 2010, në 821,3 për 100.000 banorë në vitin 2024, duke shënuar luhatje gjatë viteve.
Edhe në këtë grupmoshë, meshkujt paraqesin shkallë më të lartë të vdekshmërisë krahasuar me femrat. Ndërkohë, në grupmoshën 0–64 vjeç, shkalla e mortalitetit nga neoplazmat malinje është dukshëm më e ulët, por sërish më e lartë te meshkujt.
Sipas raportit, kanceri i mushkërive është shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje te meshkujt.
Shkalla e mortalitetit ka qenë 64,8 për 100.000 meshkuj në vitin 2010, ka rënë në vitet në vijim, por ka shënuar rritje të ndjeshme duke arritur 71,3 për 100.000 meshkuj në vitin 2024.
Ndërkohë, te femrat, kanceri i gjirit mbetet shkaku kryesor i vdekjes nga neoplazmat malinje.
Shkalla e mortalitetit është rritur nga 30 për 100.000 femra në vitin 2010, në 39,4 për 100.000 femra në vitin 2024.




