Testimi i njerëzve me simptoma COVID ka qenë një shtyllë e rëndësishme e reagimit pandemik në Mbretërinë e Bashkuar, duke reduktuar transmetimin dhe duke identifikuar e izoluar personat me virus.
Por për të qenë efektiv, ata mbështeten te njerëzit me simptoma që testohen, gjë që ngre një pyetje të qartë: çfarë përqindje e njerëzve simptomatikë bëjnë në të vërtetë një test?
Studimi i arritur përmes të dhënave nga aplikacioni ZOE COVID, i cili financohet nga qeveria dhe drejtohet nga një grup duke përfshirë King’s College në Londër dhe spitalet e qytetit Guy’s dhe St Thomas’, është pozicionuar në mënyrë unike për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, transmeton Gazeta Shneta.
Çdo ditë më shumë se 4 milionë pjesëmarrës në Mbretërinë e Bashkuar raportojnë çdo simptomë që ndjejnë nëpërmjet aplikacionit të studimit dhe regjistrojnë rezultatet e çdo testi të fundit të COVID.
Rregullat e testimit kanë evoluar gjatë pandemisë, por një rregull ka mbetur i qëndrueshëm: nëse keni një nga tre simptomat kryesore të COVID të listuara nga NHS (ethe, një kollë e re e vazhdueshme, humbje e shijes ose nuhatjes), duhet të bëni një test PCR.
Dhe duke analizuar të dhënat e studimit, është arritur të shihet një gjendje se çfarë përqindje e pjesëmarrësve përjetojnë ndonjë nga këto simptoma dhe më pas kalojnë në një test menjëherë pasi të shfaqen simptomat e tyre.
Rezultatet ishin befasuese. Në dhjetor të vitit 2020 u zbulua se 25% e atyre që raportuan një nga tre simptomat kryesore nuk morën një rezultat PCR, duke sugjeruar se ata nuk po testoheshin. Kjo ndodhi pavarësisht se kishte shumë kapacitete rezervë testimi në atë kohë.
Të armatosur me këtë informacion, studiuesit parashtruan një anketë për një kampion prej 4,000 përdoruesish në Mbretërinë e Bashkuar që kishin pasur simptoma, por pa një test, për të kuptuar më mirë arsyjen dhe më pas u zbulua se ishin tre shkaktarë për këtë gjendje.
Së pari, njerëzit kishin më pak gjasa të testoheshin nëse kishin vetëm një nga tre simptomat ose nëse simptomat e tyre zgjatën vetëm një ditë. Kjo sugjeron që njerëzit mund të kenë mendimin e gabuar se sëmundja e tyre nuk ka gjasa të jetë COVID nëse simptomat e tyre janë të shkurtra ose të lehta.
Ndër të tjera u zbulua gjithashtu se 40% e të anketuarve nuk mund të identifikonin të tre simptomat që ju kualifikojnë për të bërë një test për COVID. Grupet e vjetra kishin më pak gjasa të dinin: 80% e të anketuarve të moshës 25-34 vjeç mund të identifikonin të tre simptomat, por vetëm 25% e atyre 75 vjeç e sipër, arrinin ta bënin një gjë të tillë.
Plus, edhe kur individët e dinin se duhet të bënin një test, u zbulua se nuk ishin gjithmonë në gjendje. Nga ata që donin, por nuk arritën ta merrnin një të tillë, arsyeja më e zakonshme e dhënë ishte: “Nuk dija ku të shkoja për t’u testuar”. Arsyet e tjera të zakonshme ishin “Nuk arrita të shkoja në një vend testimi” dhe “Unë u përpoqa të bëja një test, por nuk munda ta bëja “.
Së bashku me komentet, këto rezultate tregojnë se njohuria është shpesh një pengesë për t’u testuar për COVID. Njerëzit mund të mos e dinë se sëmundja e tyre e lehtë mund të jetë ende COVID, ata mund të mos e kuptojnë se simptomat e tyre nënkuptojnë se duhet të bëjnë një test, dhe edhe nëse duan një test, ata mund të mos dinë se si ta bëjnë një.
Rezultatet e studimit, treguan se edukimi i publikut është thelbësor për rritjen e pranimit të testeve. Duhet të bëhen përpjekje për të informuar publikun se edhe simptomat e lehta mund të jenë COVID, për t’i mësuar se cilat janë këto simptoma dhe si mund të testohen. Mund të ndihmojë për të synuar këtë mesazh te popullatat më të vjetra, të cilët kanë më pak gjasa të dinë se cilat simptoma i kualifikojnë ata për një test. /Gazeta Shneta/