Vështirësi në përqendrim, harresë apo dhe mendim i ngadalësuar janë shenja të ashtuquajturit “brain fog” apo truri i mjegulltë. Edhe pse nuk është një sëmundje më vete, kjo gjendje përshkruan një grup simptomash njohëse që mund të shfaqen si pasojë e stresit, lodhjes, menopauzës, COVID-it të zgjatur apo sëmundjeve autoimune.
Sipas mjekut Dr. Tharaka, hapi i parë është të mos fajësoni veten. “Brain fog” shpesh është mënyra se si truri sinjalizon se është i lodhur ose i mbingarkuar. Nëse simptomat vazhdojnë ose përkeqësohen, këshillohet konsultimi me mjekun familjar, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Eksperti rekomandon krijimin e rutinave të përditshme për të ulur lodhjen nga vendimmarrja. Organizimi i mëngjesit, përgatitja e rrobave ose e mëngjesit një natë më parë dhe ndjekja e një orari të qëndrueshëm ndihmojnë në lehtësimin e ngarkesës mendore.
Po aq të rëndësishme janë edhe pushimet e shkurtra gjatë ditës. Vetëm 5–10 minuta për t’u shtrirë, për të pirë ujë, për të dalë jashtë ose për t’u qetësuar mund t’i japin trurit kohë të rikuperohet dhe të përmirësojë përqendrimin.
Përdorimi i kalendarëve dhe përkujtuesve në telefon ose kompjuter është një tjetër strategji e dobishme. Duke ia besuar teknologjisë menaxhimin e detyrave dhe takimeve, truri lirohet nga nevoja për të mbajtur mend çdo angazhim.
Dr. Tharaka rekomandon gjithashtu metodën SWANS, e cila përfshin pesë zakone thelbësore për shëndetin e trurit: S – gjumë cilësor (7–9 orë çdo natë), W – hidratim i mjaftueshëm, A – aktivitet fizik i rregullt, N – ushqim i shëndetshëm i pasur me kolinë, si vezët, peshku dhe arrat, dhe S – menaxhim i stresit përmes frymëmarrjes së thellë, meditimit ose aktiviteteve relaksuese.
Ekspertët theksojnë se në shumicën e rasteve “brain fog” është i përkohshëm dhe mund të përmirësohet ndjeshëm me ndryshime të thjeshta në stilin e jetesës. Nëse simptomat zgjasin ose shoqërohen me probleme të tjera shëndetësore, është e rëndësishme të kërkohet vlerësim mjekësor. /Gazeta Shneta/


