Në Ditën Ndërkombëtare të Diabetit, Instituti i Shëndetit Kombëtar ka organizuar një konferencë për media në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Klinikën e Endokrinologjisë në QKUK, OBSH-në dhe QKMF-në në Prishtinë.
Dita Ndërkombëtare e Diabetit sivjet për temë qendrore e ka diabetin gestacional tek gratë shtatzëna. Kësaj kategorie të rrezikuar, i është apeluar gjatë konferencës që të bëjnë testin për të parandaluar sëmundjen e diabetit, shkruan Gazeta Shneta.
Drejtori i Institutit, Hamdi Ramadani, ka thënë se një në shtatë gra shtatzëna janë të rrezikuara nga diabeti gestacional. Ramdani ka treguar statistikat e vitit të kaluar ku nga 12 mijë raste të varur nga insulina në gjithë Kosovën, 7225 kanë qenë gra.
“Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, e cila nëse nuk trajtohet me kohë mund të shkaktojë sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputim të këmbëve e të tjera”.
“Diabeti rrit koston e jetesës deri në 25 për qind, prandaj kërkohet vëmendje më e madhe jo vetëm te punëtorët shëndetësorë, por edhe tek shoqëria në përgjithësi”, ka apeluar Ramadani.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Muharrem Kuqi, është shprehur se diabeti është një problem global si në vendet në zhvillim dhe po ashtu në vendet e industrializuara. Ai ka thënë se duhet të gjenden mënyra të financimit të kostos së kësaj sëmundje në shoqëri.
Ardita Tahirukaj, shefe e zyrës së OBSH-së në Prishtinë, deklaroi se rreth 8 për qind e grave në botë sot jetojnë me diabet. Niveli i lartë i glukozës në gjak veçanërisht gjatë periudhës së shtatzënisë e rrit rrezikun për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Poashtu e rrit rrezikun që fëmija pas lindjes, në të ardhmen të ketë diabet.
Tahirukaj ka deklaruar se nga raporti i OBSH-së i publikuar vitin e kaluar, gratë në vendet me të ardhura të ulëta, vdesin para kohe në mungesë të kushteve të trajtimit.
Doktoresha Venera Berisha nga Klinika e Endokrinologjisë në QKUK, ka pohuar se përkundër faktit që është përpiluar programi nacional për diabetin, ai nuk është implementuar asnjëherë dhe fatkeqësisht ende nuk ka një bazë të dhënave nacionale ku do të regjistroheshin dhe përcilleshin të gjithë pacientët me diabet.
“Gjatë vitit të kaluar në klinikën e Endokrinologjisë me 36 shtretër janë hospitalizuar 770 pacientë me diabet, prej të cilëve 470 janë gra”.
Berisha ka alarmuar se në klinikë po paraqiten raste të vonshme të diabetit tek gratë shtatzëna.
“Fatkeqësisht ajo që hasim në klinikën tonë, diabeti gestacional tek gratë diagnostikohet kur veç janë shfaqur komplikimet tek nënat dhe foshnja. Kur një gjë e tillë mund të diagnostiokohet shumë lehtë, me një test i cili quhet OGTT, i cili rekomandohet gjatë shtatzënisë dhe duhet të futet si test i domosdoshëm në javën 24 deri 28 të shtatzënisë”, u shpreh mjekja.
Berisha ka treguar se janë disa laboratorë të cilat sot dhe nesër do të ofrojnë këtë test falas për gratë shtatzëna në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Diabetit.
Mjekja ka përmendur tutje mungesën e disa barnave në listën esenciale, të cilat janë të domosdoshme për trajtimin e Diabetit të tipit 2.
“Të gjithë pacientët tanë që kanë nevojë për insulinë, e marrin atë pa pagesa, ndërsa sa i përket pacientëve me diabet të tipit 2 që kanë nevojë për medikamente të tjera, përkundër fatktit që ekzistojnë një numër i madh i antidiabetikëve në vendet tjera, te ne janë një numër i vogël i tyre në listën e barnave esenciale. Prandaj insistojmë që të zgjerohet numri i antidiabetikëve në listën esenciale”, ka deklaruar Berisha
Drita Peqani, përfaqësuese nga kujdesi shëndetësor parësor, tha se në QKMF në Prishtinë stafi i specializuar i endokrinologjisë është që nga viti 2005. Poashtu në të gjitha QMF-të në Prishtinë, mund të bëhet matja e glikemisë, diagnostikimi i diabetit, trajtimi me terapi orale dhe insulinoterapi dhe mbajtja nën kontroll e diabetit. /Gazeta Shneta/