Këshilla si duhet të silleni me fëmijët e turpshëm

2017-04-28 në ora 22:15

“Kur prindërit apo persona të tjerë mundohen të korrigjojnë turpin e një fëmije, fëmija nënkupton se ai nuk është i pranuar.

Ndërkohë ne duhet t’i tregojmë atij se është mëse normale të mos jesh njësoj me të tjerët” thotë Michael Reist, këshillues.

Psikoterapistja Andrea Nair thotë se prindërit duhet të kuptojnë natyrat introverte të fëmijëve të tyre dhe të mos i bëjnë ata të ndjehen keq për atë çka nuk po bëjnë.

“Prindërit nuk duhet tu qëndrojnë gjithë kohës te koka fëmijëve të heshtur, por duhet të kuptojnë që këta fëmijë marrin më shumë kohë për të fituar siguri dhe për t’ia dalë” thotë Susan Cain, autore e librit “Qetësia: Fuqia e introvertëve në një botë që s’pushon së foluri”.

Cain tregon se një e treya e njerëzve janë introvertë (persona që preferojnë të dëgjojnë më shumë se të flasin) dhe këta individë janë të pajisur me disa cilësi të tjera siç janë inovacioni, kreativiteti dhe ndjeshmëria, që po ashtu kontribuojnë në shoqëri.

Gjithësesi “prindërit mund të ndihmojnë fëmijët të zgjerojnë kufijtë e tyre, duke respektuar ndërkohë natyrën e tyre, me anë të përdorimit të strategjive konkrete për të përballuar situata stresuese sociale” thotë Reist.

Në përgjithësi, strategjitë e përmendura nga autorët janë një ekspozim gradual ndaj situatave të sikletshme sociale që përjeton fëmija. Për shembull, të arrini të parët në festë në mënyrë që fëmija juaj të mësohet ngadalë me mbushjen e ambjentit plot me fëmijë.

Kur arrijnë në moshë të rritur, shumë introvertë arrijnë një lloj aftësie që Cain e quan “ekstrovert i shtirur”.

Reist dhe Nair bien dakord se edhe kur përdoren strategji për përballimin e situatave sociale, fëmija duhet ta ketë të qartë se është mëse e natyrshme që ai të kthehet në qetësinë e tij kur të dëshirojë.

Reist shpjegon se nuk ka asnjë gjë që nuk shkon mirë me këta fëmijë, përkundrazi, ndjeshmëria e tyre është një dhuratë e çmuar.

Nga ana tjetër nëse vëreni se fëmija juaj shfaq ecuri të dobët për shkak të frikërave, qan në situata ku lotët nuk kanë vend, izolon veten rregullisht apo ka shpërthime të shpeshta emocionale, ai mund të jetë duke përjetuar çrregullim social të ankthit dhe duhet të vlerësohet nga profesionisti i fushës.