- Plakja nuk është gjithmonë një proces i ngadaltë dhe gradual.
Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Stanfordit, njerëzit përjetojnë dy faza të mëdha ndryshimesh molekulare gjatë jetës së tyre – njëherë rreth moshës 44 vjeç dhe sërish në fillim të të 60-ave.
Gjenetisti Michael Snyder, udhëheqës i studimit të botuar në gusht 2024, shpjegon se “nuk ndryshojmë thjesht gradualisht me kalimin e kohës, por ndodhin disa ndryshime shumë dramatike në këto periudha.
” Ky zbulim vjen pas analizës së dhjetëra mijëra mostrave biologjike nga 108 të rritur, të cilët u monitoruan rregullisht për disa vite.
Në mesin e të 40-ave, ndryshimet lidhen kryesisht me metabolizmin e lipideve, alkoolit, dhe sëmundjet kardiovaskulare, si dhe me funksionin e lëkurës dhe muskujve.
Ndërsa në fillim të të 60-ave, ndryshimet ndikojnë edhe në metabolizmin e karbohidrateve, sistemin imunitar dhe funksionin e veshkave.
Studimi tregon gjithashtu se këto dy periudha përkojnë me momente kyçe në jetë, përfshirë menopauzën tek gratë, megjithëse ndryshimet molekulare janë të pranishme edhe tek burrat.
“Menopauza nuk është shkaku kryesor, ka faktorë të tjerë që ndikojnë në këto ndryshime tek të dy gjinitë,” tha Xiaotao Shen, autore kryesore e studimit.
Ekspertët thonë se këto zbulime mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë plakjen dhe për të zhvilluar trajtime që e ngadalësojnë atë.
Megjithatë, ata theksojnë se mostra e studimit ishte relativisht e vogël dhe kërkohet më shumë hulumtim për të verifikuar këto rezultate në popullata më të gjera./Gazeta Shneta/


