Një studim i ri ka zbuluar se ekspozimi afatgjatë ndaj trikloroetilenit (TCE), një tretës industrial i përdorur për pastrimin e metaleve dhe rrobave, mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit. Ky kimikat është i ndaluar në Bashkimin Evropian që nga viti 2016, përveç rasteve të kufizuara, për shkak të lidhjeve me kancerin dhe dëmtimet gjenetike.
Studimi, i botuar në revistën “Neurology”, analizoi të dhënat e rreth 222,000 të rriturve të moshuar të diagnostikuar me Parkinson në SHBA midis 2016–2018 dhe i krahasoi me mbi 1.1 milionë persona pa sëmundje.
Duke përdorur të dhëna mjedisore mbi nivelet e TCE në zona banimi, studiuesit zbuluan se njerëzit me ekspozim më të lartë kishin 10% më shumë gjasa për të zhvilluar Parkinson sesa ata me ekspozim më të ulët, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Rreziku ishte veçanërisht më i madh pranë fabrikave me emetimet më të larta të TCE. Sipas autores kryesore, Brittany Krzyzanowski nga Instituti ‘Barrow Neurological’ edhe pse rritja e rrezikut ishte modeste, numri i madh i njerëzve të ekspozuar e bën ndikimin e mundshëm shëndetësor “shumë të rëndësishëm”.
Parkinsoni prek rreth 10 milionë njerëz në botë dhe karakterizohet nga dridhje të duarve, ngurtësi muskujsh, probleme me ekuilibrin dhe lëvizje të ngadalta. Aktualisht nuk ka shërim.
Ndërsa BE e ka ndaluar TCE, në SHBA ai mbetet i diskutueshëm. Administrata Biden ka shpallur ndalimin, por zbatimi është vonuar disa herë nën administratën Trump.
Studiuesit theksojnë se gjetjet nuk provojnë shkakësi direkte, por shtojnë prova se mjedisi dhe ndotja luajnë rol kyç në shfaqjen e Parkinsonit, krahas faktorëve gjenetikë. /Gazeta Shneta/


