Kirurgu torakal Dr. Frederik Çuperjani në një bisedë për Gazetën Shneta ka folur sëmundjen e kancerit të gjirit, trajtimin e saj si dhe rezultatet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK
Sipas statistikave botërore çdo e teta grua në një periudhë të caktuar të jetës ballafaqohet me sëmundjen e kancerit të gjirit. Në Kosovë llogaritet që rreth 400 raste të reja paraqiten çdo vit me këtë sëmundje. Ndonëse kanceri i gjirit zë vendin e dytë për vdeshkmëri, pas kancerit të mushkërive, kjo sëmundje megjithatë ka rezultate të mira sa i përket trajtimit në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Kështu konsideron kirurgu torakal Dr. Frederik Çuperjani. Ai thotë se rezultatet e mira janë fal traditës së klinikës me këtë sëmundje që nga vitet e 70-ta, metodave bashkëkohore për trajtim si dhe vetdijësimit të qytetarëve për këtë sëmundje.
“Për fat të mirë me sëmundjen e kancerit të gjirit kemi rezultate shumë të mira. Vitet e fundit popullata është vetëdijesuar, në krahasim me vitet e mëhershme kur pacientët janë paraqitë te mjeku shumë vonë. Në këtë klinikë kanceri i gjirit punohet në mënyrë të shkëlqyer. Ne jemi qendër referente për Kosovë. Gjatë vitit i punojmë rreth 200 operacione radikale, ndërsa biopsia shkon deri në mijëra raste”, tregon mjeku.
Kirurgu thekson se kohët e fundit në klinikë përveç operacioneve radikale që nënkupton heqjen e tërësishme të gjirit dhe nyjeve limfatike, kryhen edhe intervenime kursyese me metoda bashkëkohore që nënkupton vetëm heqjen e nyjeve të cilat janë të atakuara nga sëmundja.
“Jemi në hap dhe në trend me trajtimet bashkëkohore dhe punojmë në mënyrë ekipore me udhëzues ndërkombëtar”, thotë Çuperjani.
Klinika e Kirurgjisë Torakale ka vetëm një sallë për operacione dhe kjo limiton edhe numrin e intervenimeve brenda vitit. Mjeku thotë se sikur të sigurohej edhe një sallë, atëherë trajtimet që kryhen aktualisht rreth 200 sosh brenda 12 muajve, do të shtoheshin edhe më tepër.
Kanceri sëmundje tinxare
Kirurgu Frederik Çuperjani thotë se sëmundja e kancerit është tinxare dhe se gratë nuk preferohet të vetekzaminohen, por bën thirrje që ato të shkojnë tek mjekët. “Ne kemi dëshirë që të rritet vetdijësimi, por jo edhe frika. Janë disa shkolla që e propagandojnë vet ekzaminimin nga gratë, por kjo nganjëherë nuk është mirë sepse është komponenta e frikës dhe se asnjë njëri nuk mund të vet ekzaminohet. Kjo vlen edhe për neve mjekët për shkak të subjektivitetit. Do të ishte mirë që të kryhen 2-4 kontrolle me ultrazë gjatë vitit dhe sipas nevojës mund të bëhet edhe mamografi. Kanceri i gjirit është sëmundje tinxare dhe ndonjëherë nuk është i qartë, por për fat të mirë në shumicën e rasteve mund të përballohet”, deklaron ai.
Mjeku thotë se trashëgimia është një faktor në rreth 15 për qind të rasteve, ndërsa në 85 për qind kemi të bëjmë me ambientin, ushqimi, uji, stresi, ndikojnë që kjo sëmundje të paraqitet.
“Tek moshat e reja kanceri është më agresiv, ndërsa tek gratë e moshuara është më i lehtë për shkak të nivelit të ulët hormonal, saqë ndodh që mos me pas nevojë as për kimioterapi. Ne duhet të jemi syqelë, jo vetëm gjatë muajit tetor, gratë nuk duhet të hezitojnë të paraqiten te mjeku dhe sidomos në Klinikën e Kirurgjisë Torakale”, thotë mjeku.
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale bëhet edhe implantet e gjirit me proteza dhe muskuj. Çuperjani thotë se këto operacione janë të gjata dhe për faktin se në klinikë është vetëm një sallë, nuk mund të kryhen numër i madh i operacioneve të tilla.
Mjeku thotë se çdo 100 raste të grave, paraqitet një mashkull me sëmundjen e kancerit të gjirit. Ai tregon se edhe meshkujt kanë nevojë për mamografi.
“Kur ultrasonisti ka ndonjë dyshim, mund ta kërkojë mamografinë apo rezonancën magnetike të gjirit. Tek meshkujt është më vështirë me dallu për shkak të gjinjve të vegjël dhe shpesh din me qenë më agresiv”, ka thënë ai.
Trajtimi i kësaj sëmundje në disa vende të botës, sikurse në Gjermani bëhet nga gjinekologët. Ndërkaq në Kosovë në shumicën e rasteve intervenimet kryhen në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Çuperjani thotë se klinika ku punon ai është qendër referente.
“Në vendet si Gjermania gjinekologu merret me kancerin e gjirit. Për arsye të ndryshme dikujt mund t’i duket një profesion më tërheqës ose anasjelltas. Por e vërteta është se klinika jonë është qendër referente. Ka pas tentime nga lëmitë e ndryshme kirurgjike që edhe të tjerët të merren me këtë, sikurse kirurgjia plastike apo kirurgët e përgjithshëm. Por ne i kemi numrat, e kemi traditën, ne i punojmë mirë dhe sikurse në futboll ekipi që fiton nuk ndryshohet. Ne nuk mundemi me ua ndal, por ndodh shpesh që ne të merremi me komplikimet e tyre. Ne s’po themi që jemi më të mirët në botë, por kur e punon njeri një punë çdo ditë, me siguri që e punon më mirë. Vetëm unë i punoj rreth 50 raste në vit dhe është vështirë që dikush që i punon 3-4 raste në vit me i punu më mirë. Po flasim me probabilitet, jo pse unë po them se jam më i mirë”, ka deklaruar mjeku i QKUK-së. /Gazeta Shneta/