Dy ditë më herët, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj tre personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Tre punëtorë të IT-së në QKUK po akuzohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në mbi 100 mijë euro. Rasti ndërlidhet me disa kamera të cilat ishin planifikuar të vendosën në Klinikat e QKUK-së, por që malli mungonte, edhe pse pagesa në vlerë 104 mijë euro ishte kryer. Gazeta Nacionale ka siguruar ekskluzivisht aktakuzën e ngritur, dhe sjell detaje.
Në shtator të vitit 2020, Qendra Klinike Universitare e Kosovës kishte paguar saktësisht 104 mijë e 751 euro. Kjo për tenderin rreth furnizimit dhe montimit të kamerave nëpër klinikat e QKUK-së. Por i gjithë ky proces, ishte përshkuar me shumë dallavere. Pagesa ishte kryer e kontrata ishte lidhur, përderisa kamerat nuk ekzistonin askund nëpër hapësirat e Qendrës Klinike. Kjo kishte bërë që pas kërkesës së auditorit të nisin hetime, të cilat kulmuan me një aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të IT-së në QKUK.
Faton Hajzeraj, Leutrim Jahja e Ylber Krasniqi. Që të tre, po akuzohen se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare për këtë tenderë, me të cilin buxheti i Kosovës ishte dëmtuar në vlerë mbi 100 mijë euro. Në aktakuzën që e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se përkundër që projekti nuk ishte përfunduar dhe pajisjet nuk kanë qenë funksionale, pagesa ishte kryer. Malli kishte arritur në zyrat e QKUK-së tek pas raportit të auditorit e raportimeve nëpër media.
“Kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke mos i kryer detyrat zyrtare, në atë mënyrë që aktivitetin e prokurimit për furnizim dhe montim të sistemit të integruar të monitorimit me kamera, kontratë të nënshkruar mes QKUK-së dhe kompanisë Artech. I tërë aktiviteti është kryer në dhjetor të vitit 2020, që përfshin pranimin e mallit, ekzekutimin e punimeve dhe pranimin teknik, duke nënshkruar raport fiktiv ku kanë cekur se materiali i pranuar nga komisioni ka qenë në përputhje me kontratën dhe të gjitha pajisjet janë montuar dhe janë në funksion të plotë, edhe pse ky raport ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike. Gjegjësisht, projekti nuk është përfunduar dhe asnjë nga pajisjet nuk kanë qenë funksionale, një pjesë e mallit është sjellur në QKUK në muajin shtator 2021, atëherë kur është bërë auditimi i tenderit dhe publikimi në media. Andaj si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme buxhetit të QKUK-së i kanë shkaktuar dëm material në shumën 104 mijë e 751 euro”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Në aktakuzë, bëhet e ditur se si dëshmi janë duke nisur nga kërkesa për shpalljen e tenderit, nënshkrimi i kontratës, gjendja faktike në terren, fotografitë e dhomës së pajisjeve në QKUK ku nuk ishin kamerat për të cilat Qendra kishte paguar 104 mijë euro. Andaj, Prokuroria ka kërkuar që të tre të akuzuarit të shpallen fajtorë.
Jetmir Krasniqi është teknik i jashtëm në firmën ‘Artech’ e cila kishte fituar tenderin në fjalën. Krasniqi kishte treguar se ka marrë pjesë në instalimin e këtyre pajisjeve në muajin nëntor të vitit 2020, mirëpo punimet nuk ishin kryer të plota me arsyetimin se nuk ka pasur infrastrukturë të nevojshme. Nga e gjithë kontrata, dëshmitari kishte treguar se janë vendosur rreth 90 kamera, dhe disa akses kontrolle në sasi të vogla.
“Që nga koha kur i kanë ndaluar punimet nuk ka marrë pjesë më në furnizim, pra nga muaji dhjetor 2020. Përveç se kah muaji gusht 2021, Alban Bikliqi e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë që ta montojnë rekabinetin dhe disa kanaleta për mos me u dok kabllat. Dëshmitari Jetmir Krasniqi bashkë me vëllaun e tij i kanë ngarkuar në veturë, e kanë kontaktuar menaxherin e kontratës dhe kur kanë arritur në oborrin e spitalit, menaxheri ka thënë se nuk munden me punu, pastaj materialin e kanë kthyer sërish në depo” thuhet në një pjesë të aktakuzës që e ka siguruar gazeta Nacionale.
Një dëshmi të gjatë e të rëndësishme për gjithë këtë rast e ka dhënë dëshmitari Alban Bikliqi, njëherësh pronar i kompanisë ‘Artech’. Ai ka treguar në intervistën para prokurorit, se montimin e kamerave e kanë nisur në disa reparte të QKUK-së. Sipas tij, punën në fillim e kishin ndërprerë pasi kishin marrë urdhër sepse po iu cenohet privatësia pacientëve. Ai ka rrëfyer pse nuk ishte bërë montimi i dhomës kryesore të monitorimit, dhe pjesa tjetër e kamerave.
Akses kontrollat i kanë ngjitur te infektiva mirëpo jo edhe kamerat, sepse iu është ndaluar puna për shkak të Covidit. Pastaj kanë kërkuar ta montojnë dhomën e monitorimit pasi që puna e jonë ka mundur të jetë e kufizuar dhe nuk ka rrezik nga Covidi, mirëpo menaxheri Leutrim nuk ka pranuar me arsyetimin se ende nuk është përcaktuar kur do të vendoset kjo dhomë, përkatësisht për ta gjetur vendin më të përshtatshëm për monitorim të kamerave. Pastaj u stopua puna rreth montimit të këtyre kamerave dhe nuk vazhdoi më deri në fund të vitit 2020, kur iu kam kërkuar ta vazhdojmë punën pasi kontrata e parashihte kryerjen e punëve për 40 ditë”, ka treguar para prokurorisë dëshmitari Bikliqi.
Pronari i kompanisë insistonte se kanë qenë Faton Hajzeraj dhe Leutrim Jahja, ata që i kishin thënë se nuk ka vend për t’i vendosur kamerat.
“Është takuar me Fatonin dhe Leutrimin dhe janë zotuar se në momentin që na dhajnë vendin për dhomë të monitorimit do të vazhdojnë punët e mbetura, i kanë thënë në muajin janar apo shkurt 2021. Pas verifikimit të mallit, është regjistruar numri serik i secilës kamerë. Është bërë pranimi teknik që ne e kemi kryer pjesën tonë edhe pse punët nuk ishin përfunduar, dhe na e kanë kryer pagesën prej 104 mijë eurosh. Në momentin kur është nënshkruar pranimi teknik nga komisioni, ka deklaruar se e gjithë sasia e mallit ka qenë prezente në oborr të QKUK-së, mirëpo meqënse i kishin thënë se nuk kanë vend ku t’i vendosin janë kthyer në firmën time derisa të vendoset”, thuhet në aktakuzë.
Ai e ka konfirmuar se pjesën kryesore të mallit e kanë dërguar në QKUK në muajin gusht të vitit 2021, pasi që kishin nisur hetimet nga ana e policisë dhe rasti ishte bërë publik në media.
Në cilësinë e dëshmitarëve kanë folur edhe Ilir Jonuzi si zyrtar administrativ në IT-në e QKUK-së, dëshmitari Selami Krasniqi si menaxher i prokurimit në SHSKUK, dhe dëshmitari Art Çakiqi i cili e kishte pranuar mallin në gushtin e vitit 2021. Procedurën e kishte sqaruar edhe dëshmitari tjetër Arsim Qorrolli, i cili punon si zyrtar certifikues në QKUK.
TË AKUZUARIT
I akuzuari Faton Hajzeraj i cili është zyrtar i IT-së në QKUK, kishte pranuar se e gjithë kjo kontratë kishte pasur shumë parregullsi. Në intervistën e tij para prokurorit, ai kishte bërë të ditur se 34 pajisje ishin pranuar, dhe më pas ishin vendosur në zyret e tyre e jo në depo të QKUK-së.
“Si anëtar i komisionit nga menaxheri i kontratës iu është prezantuar një deklaratë në mes kompanisë dhe menaxherit, ku thuhej se kompania garanton që të gjitha punët që kanë mbetur pa u përfunduar në këtë kontratë, pasi arsye e moskryerjes së punimeve ka qenë pandemia dhe mos-caktimi i sallës monitoruese nga menaxhmenti i QKUK-së. Qëllimi i deklaratës ka qenë që ne si komision edhe pse punimet nuk janë kryer, kemi vendosur në bazë të zotimeve të tij përmes deklaratës ta nënshkruajmë pranimin teknik të të gjitha punimeve, dhe pastaj është bërë pagesa në vlerë 104 mijë euro”, kishte thënë i akuzuari Hajzeraj para prokurorit, bëhet e ditur në aktakuzën e Prokurorisë të siguruara nga Nacionalja.
I akuzuari ka dhënë një arsyetim për vonesat në kryerjen e punimeve dhe përfshirjen e tij në këtë rast. “Për shkak të peshës një rekabinet është kthyer dy herë nga QKUK-ja te operatori ekonomik, për arsye se drejtoria nuk ia ka caktuar vendin ku duhet të vendoset. Unë si Faton kam kërkuar me email adresë zyrtare që ta caktojnë vendin për vendosjen e kësaj pajisje, nëse do të kisha keqpërdorë nuk e kisha dërguar atë email e as nuk i kisha treguar menaxhmentit të QKUK-së. Malli nuk është pranuar deri në gusht të vitit 2021 edhe pse ka ardhur, për arsyet e lartcekura”
I akuzuari tjetër Leutrim Jahja ishte menaxher i kontratës për këtë furnizim me kamera. Ai e ka pranuar se raporti për pranim teknik ishte bërë në kundërshtim me gjendjen faktike që ishte në QKUK. “Po është e vërtetë që raporti ka përmbajtje të pavërtetë dhe është bërë shabllon pasi në çdo rast tjetër përdoret i njëjti formular. Operatori ekonomik i ka zhvilluar punimet nga data e pranimit të mallit në dhjetor 2020, mirëpo punimet nuk kanë përfunduar. Përveç 60% të pajisjeve që janë montuar, punimet ishin ndalur për shkak se kishte përfunduar dhoma e monitorimit e cila nuk ishte siguruar nga drejtoria e SHSKUK-së, edhe pse ishte kërkuar disa herë”
Jahja e ka mohuar se malli kishte ardhur në gusht të vitit 2021 pas raportimit nëpër media. Sipas tij, malli ka qenë prezentë në hapësirat e QKUK-së dhe kjo mund të vërtetohet.
I akuzar është edhe Ylber Krasniqi, i cili ishte anëtar i Komisionit në këtë kontratë 104 mijë euroshe. “Në muajin dhjetor 2020 nga operatori ekonomik kanë pranuar një sasi të kamerave, kabllove, 5 monitorëve, akseve të ndryshme, dhe nuk e dijnë nëse është sjellë mall tjetër më vonë, nuk e ka parë. Me Fatonin dhe Leutrimin kanë dalur dy herë për inspektim të punëve, dhe e ka nënshkruar raportin për pranik teknik, dhe se është e vërtetë që përmbajtja e raportit ka qenë jo e saktë pasi punimet nuk kanë përfunduar për shkak të Covidit si dhe dhoma e monitorimit nuk ka qenë e caktuar”, thuhet në aktakuzën e plotë të siguruar nga Nacionalja.
Duke marrë për bazë të gjitha këto fakte, Prokuroria ka kërkuar që tre të akuzuarit të shpallen fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Shënim: Personat e përmendur janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë, dhe prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të Gjykatës. /Nacionale