Të pakënaqur me pagesat e kujdestarive janë specializantët në nivel vendi. Duke e quajtur të kundërligjshëm dhe jo të drejtë pagesat e kujdestarive ata paralajmërojnë se do të ngrisin padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë shkruan Gazeta Shneta.
Uran Halimi, përfaqësues i specializantëve me vetfinancim tregon se në janar kanë marrë premtime nga ministri aktuali i shëndetësisë, Rifat Latifi, se do të bëhet zgjidhje për ta, por një gjë e tillë është ende e pa zgjidhur.
“Nga atëherë kur ministri ka thënë “early Januari” çështja e specializantëve do të zgjidhet ma s’kem asnjë përgjigjie edhe ka thënë është ” çështje teknike, leht e zgjidhshme” po jemi ne prill dhe ende nuk kemi zgjidhje”, u shpreh ai për Gazetën Shneta.
Pagesën për kujdestari ai e konsideron të jashtë ligjshme duke pretenduar se Ministria e Shëndetësisë me qëllim po e bënë një gjë të tillë. Specializantët paralajmërojnë padi ndaj ministrisë.
“Ministria me qellim po e shkel ligjin dhe për këtë kemi me ju drejtu inspektoriatit të punës por parashohim edhe padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë sepse shkelja është e qëllimshme”, u shpreh ai, përderisa arsyeton mendimin e tij “sepse mendoj që mbrenda ministrisë ka zyrtar ligjor që duhet me shiku ligjin e punës para se me marrë vendimin”.
Pagesa për kujdestari për Specializantët e Rregullt dhe me Vet- financim ka filluar të bëhet që nga janari i këtij viti, ndërsa nga viti 2019, kur edhe ka filluar specializimi në nivel vendi specializantët nuk janë paguar për kujdestarit e tyre.
Çka thotë Ministria e Shëndetësisë?
Pegasat me nga 50 euro për kujdestari i arsyeton Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se sipas Udhëzimit Administrativ për Shkollim Specialistikë, specializantët e kanë për obligim të mbajën dy kujdestari gjatë muajit për të plotësuar plan-programin e paraparë për specializim dhe sipas ministrisë, në udhëzim nuk është e cekur paga për ta.
“Pjesa ligjore (Udhëzimi Administrativ për Shkollimin Specialistik) lidhur me këtë çështje thotë se “specializanti duhet të mbajë së paku 2 kujdestari gjatë muajit për plotësimin e plan-programit të paraparë specialistik” dhe nuk e cek pagesën e këtyre dy kujdestarive”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë për Gazetën Shneta.
Por pavarësisht kësaj, ata thonë se me qëllim të stimulimit të specializantëve ministria ka vendosur t’i paguaj specializantët për kujdestaritë.
“Është vendosur për pagesën e dy kujdestarive obligative për specializantë pavarësisht ditëve të javës: 1 kujdestari 50,83 euro apo 2 kujdestari 101,66 euro”, thuhet tutje.
Pagesat e specializantëve bëhen në mënyrë retroaktive, “për specializantët e rregullt nga kategoria paga dhe mëditje, ndërsa për specializantët me vetëfinancim nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve”.
“Dështim në menaxhim”
Dështim në menaxhim e quan gjithë këtë “katrahurë” për pagesat e kujdestarive, Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve.
Ai thotë se nëse nuk kanë bazë ligjore për të paguar këtë kategori atëherë të mos i lejojnë me mbajtë kujdestari fare.
“Çdo punë e bërë me ligj të punës ëdhe duhet të paguhet, nëse nuk i pagujnë ose nëse nuk kanë bazë ligjore ashtu siç lidhen disa menaxherë jozyrtarisht atëherë mos t’i qesin kujdestarë, edhe kanë nevojë për kujdestari edhe nuk i pagujnë”, shprehet ai në një prononcim për Gazetën Shneta.
Sejdiu e konsideron të padrejtë dhe diskriminues dallimin që bëhet ndërmjet specializantëve dhe specialistëve, madje një gjë të tillë ai e quan dështim menaxheriale.
“Çështja që i dallojnë është e padrejtë është diskriminuese sepse financiarishtë kur e kanë bërë këtë dallim ata humbin, sepse më shtrejtë paguhet një specialist se sa një specializantë. Është dështim menaxherial komplet”, thotë ai.
Oda e Mjekëve të Kosovës vitin e kaluar ka ngritë padi ndaj Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për shkak mos pagesës së shtesave të rreth 400 mjekëve në nivel vendi.
Udhëzimi Administrativ
Sipas Nenit 2, të Udhëzimit Administrativ, shkollimi specialistikë bazohet në institucionet e autorizuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Shkollimi specialistikë organizohet nga bordi, komiteti dhe mentori klinik i përcaktuar sipas kompetencave.
Bordi emërohet nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa bordi ka përgjegjësi të paraljmëroj ministrin për punët e bëra.
Ndërsa sa i përketë financimeve, Specializantët me Financim të Rregullt financohen nga buxheti i ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë ndërsa për Specializantët me vet- financim financimi bëhet në mënyrë vetanake apo përmes subvencioneve./Gazeta Shneta/