Kompania “Trip.com” e Kinës, një nga agjencitë më të mëdha të udhëtimit në internet në botë, po prezanton subvencione të reja për kujdesin e fëmijëve me vlerë 138 milionë dollarë për të inkurajuar 32,000 punonjësit e saj që të kenë fëmijë.
Punëtorët që kanë qenë me kompaninë për të paktën tre vjet do të marrin një bonus vjetor prej 1,376 dollarë për çdo fëmijë të porsalindur çdo vit nga ditëlindja e parë e fëmijës derisa të mbushin moshën pesë vjeç. Politika do të hyjë në fuqi të shtunën, raporton CNN përcjell Gazeta Shneta.
“Nëpërmjet prezantimit të këtij përfitimi të ri për kujdesin ndaj fëmijëve, ne synojmë të ofrojmë mbështetje financiare që do të inkurajojë punonjësit tanë të fillojnë ose të rrisin familjet e tyre pa kompromentuar qëllimet dhe arritjet e tyre profesionale”, tha në një deklaratë të premten, kryetari ekzekutiv i Trip.com, James Liang.
Njoftimi i Trip.com pason nisma të ngjashme nga kompani më të vogla kineze dhe vjen pasi vendi përballet me një krizë demografike.
Popullsia e Kinës u ‘tkurr’ në vitin 2022 për herë të parë në më shumë se 60 vjet, me vetëm 6.77 lindje për 1000 banorë– shkalla më e ulët e lindjeve që nga themelimi i Kinës komuniste në vitin 1949. Vendi tani është kombi i dytë më i populluar në botë, pasi ka mbetur prapa Indisë, sipas Kombeve të Bashkuara.
Në Trip.com, të gjithë punonjësit me kohë të plotë që kanë punuar për kompaninë për tre vjet do të kualifikohen për bonus, pavarësisht nga gjinia, pozicioni ose vendndodhja e tyre e punës, ka njoftuar kompania në një deklaratë të dytë në gjuhën kineze. /Gazeta Shneta/