Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Dr. Ilir Kurtishi thotë se klinika që ai udhëheqë ka furnizim të barnave me kapacitet prej 80%.
“Klinika e Onkologjisë ka një furnizim prej gati 80%, përjashtuar barnat pa autorizim marketingu dhe disa produkte që janë në procedurë prokurimi, si dhe disa të tjera për të cilat nuk ka pasur ofertues, sipas njoftimit nga SHSKUK”, tha Dr. Kurtishi për Front Online.
Tutje, Dr. Kurtishi bëri të ditur se lajm pozitiv është përfshirja e disa barnave te reja për trajtimin e disa sëmundjeve.
“Risi këtë muaj është furnizimi i Klinikës me barnat për trajtimin e melanomës malinje të avancuar, konkretisht me barnat BRAF-inhibitorë, si pjesë e listës esenciale të barnave (LBE). Së shpejti, në Klinikë do të jenë të pranishme edhe barnat CD4-inhibitorë, për trajtimin e formave të avancuara dhe metastatike të kancerit të gjirit ER+, PGR+, HER2neu-negativ”, njoftoi Dr. Kurtishi.




