Emerico Maria Laccetti, ish-kolonel i Kryqit të Kuq italian, ka deklaruar për mediat serbe se është sëmurë nga kanceri derisa ishte me mision në Kosovë. Ai i ka thënë “Novosti-it”, se tumori në mushkëri ka ardhur si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit jonizues ndaj të cilit ishte ekspozuar në Kosovë.
Lacceti ka deklaruar se gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë ku kishte ardhur për të ndihmuar popullin, shpesh kishte frymuar nëpër pluhurin e menjëhershëm pas bombardimeve.
“Më 1 janar u shtriva në spital, ndërsa tri ditë më vonë mu mor kampion për biopsi. Diagnoza ishte ndër më të rëndat”, ka deklaruar 51-vjeçari. Ai tregon se pas intervenimeve që ka pasur, tani i ka mbetur vetëm 5 për qind e tumorit dhe kontrollohet vazhdimisht nga mjekët.
“Në tumor është gjetur masa tekstualisht ‘qeramikë e rrumbullakët’ si pasojë e radiacionit dhe temperaturave të larta që zhvillohen gjatë shpërthimit të projektilëve të uraniumit të varfëruar i cili dihet se i takon teknologjisë bërthamore”, ka thënë Lacceti, transmeton Gazeta Express.