Një studim i ri amerikan zbulon se përdorimi i cigareve elektronike mund të rrisë rrezikun e prediabetit – një gjendje me nivele të larta sheqeri që mund të çojë te diabeti tip 2.
Përdoruesit e vapes kanë 7 për qind më shumë mundësi të zhvillojnë prediabet krahasuar me jo-duhanpirësit. Rreziku rritet në 15 për qind për ata që pinë duhan konvencional dhe arrin 28 për qind kur kombinohen të dyja – vapa dhe duhani tradicional, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Për diabetin, përdoruesit e dyfishtë të vapes dhe duhanit kanë 9 për qind më shumë rrezik se jo-duhanpirësit, ndërsa duhanpirësit tradicionalë 7 për qind.
Studimi nuk gjeti lidhje të rëndësishme mes përdorimit të vetëm të cigareve elektronike dhe diabetit.
“Ndërsa vapes po shiten si alternativë ‘më e sigurt’ ndaj duhanit, kjo tregon se ato mund të kenë një rrezik të fshehtë dhe të kontribuojnë në problemet e shëndetit afatgjatë si prediabeti dhe diabeti,” tha Sulakshan Neupane, autori kryesor dhe doktorant në Universitetin e Georgias.
Studimi gjithashtu identifikon faktorë që rrisin rrezikun, përfshirë mbipeshën, përkatësinë etnike (Hispanik, Afrikano-Amerikan, Aziatik) dhe të ardhurat e ulëta.
Përdorimi i cigareve elektronike është në rritje në Europë, me 22 për qind të nxënësve 15-16 vjeç që marrin vape rregullisht.
Shkencëtarët theksojnë se të dhënat nuk provojnë një marrëdhënie shkak-pasojë, pasi mbështeten në vetë-raportim dhe nuk marrin parasysh predispozicionet gjenetike, historinë familjare ose aktivitetin fizik.
Megjithatë, studimi përforcon shqetësimet për shëndetin e përgjithshëm dhe u jep argumente qeverive për masa parandaluese, si ndalimet e fundit në Spanjë për duhanin dhe vapes në ambiente publike. /Gazeta Shneta/


