Dieta mesdhetare, e njohur për përfitimet e saj në shëndetin e zemrës, për parandalimin e diabetit dhe disa kancereve, ka edhe një përfitim tjetër: përmirësimin e shëndetit të mishrave të dhëmbëve.
Një studim i kryer në Mbretërinë e Bashkuar me 195 pacientë spitalorë zbuloi se ata që nuk ndjekin dietën mesdhetare kishin më shumë sëmundje të mishrave dhe nivele më të larta të proteinave të lidhura me inflamacionin, si Interleukina-6 (IL-6) dhe proteina C-reaktive (CRP), shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Nga ana tjetër, pjesëmarrësit që ndiqnin një dietë të pasur me perime, fruta, bishtajore dhe vaj ulliri – tipike e Mesdheut – treguan nivele më të ulëta të këtyre treguesve inflamatorë.
Shkencëtarët theksuan se sëmundjet e mishrave lidhen me inflamacion kronik dhe mund të ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet, kancer, lindje të parakohshme dhe foshnja me peshë të ulët. Dieta mesdhetare, me vetitë e saj anti-inflamatore, mund të ndihmojë në parandalimin dhe menaxhimin e këtyre problemeve.
Profesor Luigi Nibali nga King’s College London shtoi se lidhja mes dietës, inflamacionit dhe shëndetit të mishrave duhet të konsiderohet holistikisht nga mjekët, por theksoi se kërkohet më shumë studim për të zhvilluar strategji të personalizuara për menaxhimin e shëndetit oral.
Sipas OBSH-së, rreth një miliard njerëz në botë vuajnë nga sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, me higjienën e dobët dhe përdorimin e duhanit si faktorët kryesorë të rrezikut. /Gazeta Shneta/


