Komisioni Evropian po analizon një propozim për krijimin e një fondi që do t’u ndihmonte grave të kryejnë aborte të sigurta kur nuk munden në vendin e tyre për shkak të ligjeve kufizuese.
Nisma erdhi pas një fushate qytetare me mbi një milion firma në mbarë BE-në, e drejtuar nga lëvizja “My Voice, My Choice”, e cila thekson se rreth 20 milionë gra në Evropë nuk kanë akses në shërbime të përshtatshme aborti, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Rasti i Mirela Čavajda në Kroaci në vitin 2022 tërhoqi vëmendje të madhe. Në javën e 26-të të shtatzënisë, kur mjekët zbuluan probleme të rënda tek fetusi, disa spitale refuzuan ta ndihmonin.
Ajo u detyrua të shkonte në Slloveni, duke paguar 5,000 euro për ndërprerjen e shtatzënisë. Edhe pse ligji kroat e lejon abortin në rrethana të tilla, hezitimi i mjekëve dhe boshllëqet ligjore e lanë atë pa mbështetje.
Probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në Poloni dhe Maltë, vendet me ligjet më të rrepta në BE.
Në Maltë, aborti lejohet vetëm kur jeta e gruas është në rrezik, ndërsa në Poloni ndalimi i vitit 2020 për rastet e anomalive të fetusit shkaktoi protesta masive dhe tragjedi si vdekja e Izabelës, që humbi jetën nga sepsa pas vonesës së një aborti shpëtues.
Propozimi i ri nuk synon të japë një “të drejtë evropiane për abort”, por të krijojë një mekanizëm solidariteti. Fondi, nëse miratohet, do të mbështesë financiarisht udhëtimin dhe procedurat për gratë që kërkojnë ndihmë jashtë vendit.
Megjithatë, ky propozim do të jetë vullnetar dhe pjesëmarrja e shteteve do të mbetet opsionale.
Komisioni do t’i përgjigjet zyrtarisht nismës deri në mars 2026, ndërsa çdo propozim legjislativ do të duhet të marrë miratimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave — një proces që pritet të jetë i vështirë për shkak të kundërshtimeve politike dhe fetare. /Gazeta Shneta/




