Qendra Klinike Universitare e Kosovës e ka shpërblyer me një tender mbi 770 mijë euro kompaninë “Ego Elsa” për zgjerimin e rrjetit të oksigjenit. Kjo kompani më herët ka pas kontratë për mirëmbajtjen e këtij rrjeti
Qendra Klinike Univeristare e Kosovës ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës për zgjerimin e rrjetit të oksigjenit në klinika, shkruan Gazeta Shneta.
Tenderi i është dhënë një grupi të operatorëve ekonomikë të udhëhequr nga kompania “Ego Elsa SHPK”, “NNSH Ego Elsa”, “Ar – Tech SHPK” dhe “Euromed Group”. Këta operatorë janë shpërblyer me mbi 770 mijë euro për kryerjen e punimeve.
Kompania “Ego Elsa” ka pas kontratë edhe vitin e kaluar me QKUK-në për mirëmbajtjen e rrjetit të oksigjenit. Kontrata ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2019 në vlerë prej 72 mijë eurosh.
Gazeta Shneta pati raportuar për këtë kontratë edhe vitin e kaluar kur në QKUK vdiqën disa pacientë në rrethana të dyshimta në Klinikën Infektive. Dyshimet e para lidheshin me mungesën e oksigjenit.
Pas kësaj ngjarje menaxhmenti i QKUK-së i kishte kërkuar kësaj kompanie që të bënte vlerësimin e furnizimit me oksigjen në Klinikën Infektive, dhe si rezultat doli se intensiva nuk kishte mundësi të kujdesej për më shumë se tre pacientë me respiratorë. Në këtë njësi janë mbajtur deri në 6 pacientë gjatë pandemisë.
Pas vdekjes së pacientëve, intensiva në Klinikën Infektive ishte mbyllur për një kohë. /Gazeta Shneta/