Kompanitë farmaceutike i kanë rritur çmimet e materialeve mbrojtëse nga koronavirusi deri mbi 300 për qind. Ministria e Shëndetësisë më datën 10 shkurt kishte kërkuar hetime nga Departamenti i Krimeve Ekonomike dhe Autoriteti i Konkurrencës. Për këta të fundit MSH thotë se nuk kanë reaguar
Në fillim të muajit shkurt çmimet e materialeve mbrojtëse kundër koronavirusit Covid-19 ishin relativisht të lira dhe tregu nuk dallonte shumë me çmimet që shteti kishte kontraktuar. Më 4 shkurt të këtij viti Shërbimi Spitalor Klinik Universitar kishte blerë maska të standardit 3M me çmim 2.46 euro, ndërsa më 7 shkurt maskat N95 kushtuan 2.95 euro. Por një maskë e standardit ekuivalent FFP2 është shtrenjtuar mbi 300 për qind rreth 1 muaj më vonë, përkatësisht më 10 mars kur shteti e ka blerë me mbi 8 euro, shkruan Gazeta Shneta.
Këto të dhëna Ministria e Shëndetësisë i ka ndarë me Gazetën, pas dërgimit të pyetjeve për ngritjen e çmimeve të materialeve medicinale për Covid-19, për liferimin e tyre nga kompanitë e kontraktuara si dhe për kërkesën për hetime nga Policia e Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës.
MSH ka deklaruar se ka zhvilluar gjithsej 12 aktivitete emergjente me disa lote për furnizim me barna, material mbrojtës dhe ventilator. Prej të gjitha kontratave, kompania ‘Lego’ është shpërblyer me vlerën më të madhe mbi 2 milionë euro. Prej tyre, furnizim me maska 1,716,492 dhe të tjerat barna. MSH ka deklaruar se sa i përket maskave kontrata ka qenë kornizë dhe ky institucion ka bërë 70 për qind të porosisë dhe e njëjta është liferuar plotësisht nga operatori në vlerë 1,201,563.00.
MSH ka deklaruar se ka ekzekutuar penalizime ndaj operatorëve që kanë vonuar furnizimet, por thonë se Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka kërkuar që të mos penalizohen ata operator të cilët vonojnë porositë për shkak të Covid-19. Ndërkaq në anën tjetër KRPP ia ka lejuar MSH-së që të negocioj blerjet emergjente vetëm me operatorët që potencialisht mund të përmbushin kontratat. Madje MSH thotë se edhe ekspertët e prokurimit i kishin rekomanduar që të negociojnë me sa më pak operator në mënyrë që furnizimi të ishte më i shpejtë.
“Përkundër kësaj MSh në çdo procedura ka thirrur më shumë kompani që të marrin pjesë, me qëllimin që të sigurojë sa më shumë konkurrencë dhe të ul çmimin për të ruajtur edhe buxhetin e taksapaguesve. Në këto procedura kanë marrë pjesë prej 5-6 kompani (në rastet me më së paku kompani) deri në 25 kompani dhe në secilin rast fitues është shpallur çmimi më i lirë i ofertuar dhe çmimi brenda vlerës së parashikuar nga MSh-ja. Ku ka pasur tejkalim të vlerës së parashikuar, nuk është shpallur fituesi dhe procedura ka shkuar në ri-tenderim”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ministria e Shëndetësisë thotë se kanë pasur shumë presion publik për të siguruar sa më shumë pajisje mbrojtëse profesionale dhe kanë qenë të vetëdijshëm për ngritjen e çmimeve nga operatorët ekonomikë.
“Duke e parë se çmimet i kanë ngritur edhe për produktet e importuara më herët dhe të cilat i kanë pasur në stok, para se të përkeqësohet gjendja e furnizimeve në tregun ndërkombëtar për shkak të kërkesave enorme nga shtetet e ndryshme, MSh ka ftuar Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës (shih shkresa e bashkëngjitur) dhe Agjensionin Kosovar të Konkurrencës për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e MSH-së të cilët bashkëngjitur kanë dërguar edhe dokumentin, shkruan Gazeta Shneta.
“Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm, në të cilin kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e Njësisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, ata kanë theksuar se në bazë të legjislacionit nuk mund të merren masa ligjore konkrete”, thuhet në përgjigjen e MSH-së. Sipas tyre Autoriteti i Konkurrencës nuk kishte reaguar fare, derisa kjo çështje u ngrit në media.
“Gjatë çdo tenderimi Komisioni për verifikimin e çmimit të barnave, ka dalë në terren (ose i ka siguruar edhe në mënyrë elektronike të dhënat) dhe i ka verifikuar ato, me qëllim që të mos paguhet diçka që nuk përkon me çmimet e tregut. Në anën tjetër, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili gjithashtu me shkresë (bashkëngjitur) është njoftuar nga Ministria për ngritjen e çmimeve nga operatorët ekonomikë është njoftuar për këtë dukuri, por nuk ka reaguar. MSh i vjen mirë, që tash kishte vendosur të reagojë, pas përsëritjes nga ana e MSh-së të kërkesës që të hetohen të gjitha pretendimet eventuale për kontraktimet e bëra gjatë kohës së Covid-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Kujtojmë se Autoriteti i Konkurrencës ka dal dje me një deklaratë për media ku ka thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet, si dhe kanë mirëpritur ftesën e MSH-së për të hetuar çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit për Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se ka blerë produkte për SHSKUK-në si dhe për institucione tjera sikurse janë Kujdesi Parësor Shëndetësor, Policia e Kosovës, Zjarrfikësit, etj. Krejt në fund MSH ka ofruar një skemë ilustruese të ngritjes së çmimeve bazuar në kontraktimet e SHSKUK-së para kohës së pandemisë dhe pas fillimit të pandemisë:
Nga Lista Esenciale:
1.MASK SURGICAL DISPOSABLE çmimi për njësi 0.02 euro
2.GOWN SURGICAL STERILE DISPOSABLE çmim për njësi 0.67 euro
3.GLOVES EXAMINATION çmimi për njësi 0.018 euro
4.GLOVES SURGICAL STERILES PAIR LATEX çmimi për njësi 0.13 euro
Materiali jashtë Listës Esenciale
1.Maska 3M furnizimi më 04.02.2020 çmimi për njësi 2.46 euro
2.Maska N95 furnizimi më 07.02.2020 çmimi për njësi 2.95 euro
3.Maska FFP2 respirator furnizuar më 10.03.2020 çmimi për njësi 8.00 euro
4.Veshje mbrojtëse për tërë trupin XL furnizimi më 10.03.2020 çmimi për njësi 7.00 euro
5.Mburojë për fytyrë- furnizimi më 10.03.2020 çmimi për njësi 6.80 euro
6.Syza mbrojtëse- furnizimi më 10.03.2020 çmimi për njësi 7.00 euro. /Gazeta Shneta/