Edhe pas përfundimit të projektit, komuna e Ferizajt nuk e ka shlyer borxhin ndaj mantelbardhëve të Organizatës Joqeveritare “Caritas Kosova”.
Personeli shëndetësorë i cili ka punuar në kuadër të Organizatës Joqeveritare “Caritas” në qendrat shëndetësore në Ferizajt, pothuajse në vazhdimsi janë ballafaquar me probleme sa i përketë pagave mujore.
Probleme të ngjashme kanë vazhduar edhe pas përfunditmit të projektit ndërmjet komunës së Ferizajt dhe Organizatës “Caritas Kosova”. Mbi 300 punëtor sa kanë qenë pjesë e këtij projekti nuk janë paguar për pesë muaj.
Komuna e Ferizajt është në borxh të këtyre punëtorëve nga muaji tetor i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti.
Sipas menaxherit të kontratave, Xhevdet Haxhidema, gjatë kësaj jave apo javës së ardhshme pritet të bëhet transferi i pagave.
“Pritet që gjatë këtij muaji, dy paga të dalin, paga e tetorit dhe nëntorit. Janë duke punuar në atë drejtim që paga e tetorit dhe nëntorit me dal gjatë muajit prill, pastaj dhjetori, janari, shkurti lëshohen gjatë muajve tjerë, deri në fund të qershorit pritet të mbyllen të gjitha pagesat, ndoshta edhe më herët”, tregoi ai në një prononcim për Gazetën Shneta.
Të njejtën gjë e konfirmoi edhe drejtoresha e financave në këtë komunë, Sabahate Ajeti.
“Brenda kësaj jave do t’i transferojmë edhe dy paga edhe me bartjen e të hyrave vetanake në seancën që do ta mbajmë në prill, e kemi planifiku komplet pjesën e mbetur të obligimeve me i pagu pas përfundimit të seancës, do të thotë kah mesi i majit bëhet pagesa edhe për dy apo tre muaj pagesë”, u shpreh ajo.
Në anën tjetër, menaxheri i kontratave por edhe drejtoresha e financave thonë se për shkak se për një kohë të gjatë llogaritë bankare kanë qenë të bllokuara nuk kanë arritur të bëjnë transferimin e pagave me kohë.
Projekti ndërmjet komunës së Ferizajt dhe Organizatës “Caritas” ka përfunduar më 28 shkurt të këtij viti. Pas përfundimit të kontratave 325 punëtorë mbetën pa punë./Gazeta Shneta/




