Komuna e Vushtrrisë gjatë ditës së sotme ka organizuar panel diskutimi me temën “Zbulimi i hershëm shpëton jetë” – në muajin për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit.
Gjatë kësaj kampanje sensibilizuese është theksuar rëndësia e zbulimit të hershëm të kancerit në gji.
Drejtoresha e Spitalit Rajonal në këtë komuna, Shefkije Shatri, theksoi se nga janari deri në muajin masr 2022 radiologët kanë realizuar 52 mamografi.
Mamografia në spitalin rajonal ka pësuar dëmtime dhe për pasojë që nga muaji mars 2022 është jashtë funksionit.
Shatri ka sqaruar se problemi me aparaturën e mamografisë është duke u rregulluar dhe së shpejti do të hyjë në funksion.
“Prej kur edhe ka pësuar defekt mamografi, shërbimet nuk janë kryer në Spitalin tonë. Por që radiologët e Spitalit, nëse ka pasur indicie, kanë realizuar ultrazë të gjirit, duke identifikuar rastet dhe në rast nevoje i kanë udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm diagnostik dhe specialistik. Gjatë muajit tetor janë kryer 35 ultrazë të gjirit”, thotë ajo ndërsa uronë që aktivitetit gjatë këtij muaji të shërbejnë në parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.
Drejtoresha gjithashtu potencoi se gjatë vitit të kaluar janë realizuar 270 mamografi.
Në këtë panel ka qenë prezentë Kryetari i Komunës së Ferit Idrizi, drejtoresha e QKMF-së Naile Gjaka, Edona Leci- radiologe dhe Fatmire Krasniqi – trajnere në QKMF, si dhe një numër i madh i grave.
Muaji tetor është muaj ndërkombëtar për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit. /Gazeta Shneta/