Brenda klinikës së fëmijëve apo Klinikës së Pediatrië në QKUK gjenden rreth 100 fëmijë të shtrirë të cilët kanë probleme shëndetësore. Nën përkujdesjen e prindërve dhe personelit shëndetësorë fëmijët e grup- moshave të ndryshme janë duke pranuar trajtim mjekësor për sëmundjet e tyre.
Në klinikën e cila pret e përcjellë me qindra fëmijë nga gjithë vendi nuk mund të bëhen disa nga llojet e analizave – të nevojshme për diagnostikimin e sëmundjeve. Mungesa e analizave pamundëson identifikimin e sëmundjes tek fëmijët. –
Në njërën nga dhomat e kësaj klinike një nënë – e cila deshi të mbetet anonim- tash e dy javë e ka të shtrirë fëmijën e saj, 16 muaj. Gjatë bisedës me Gazetën Shneta ajo tregon se jo të gjitha analizat e nevojshme për fëmijën e saj janë duke u bërë në klinikën e Pediatrisë, dhe për këtë ajo thotë se është detyruar të shkojë nëpër laboratorët privat.
Djali i saj ka probleme me tretjen e ushqimeve të cilat kanë përmbajtje të qumshtit.
“Këto analiza – tregon fletë udhëzimin e mjekut – i kam bërë në privat se këtu thanë që nuk bëhet. Këtu vetëm analizën e urinës kanë arritë me bo deri tash” – rrëfen ajo ndërsa në duar mban disa nga udhëzimet e mjekut.
Analiza FOBT (analizë e cila bëhet përmes jashtëqitjes), ‘Fecesi në gjakëderdhje oktule dhe fecal calprotecina’ ajo thotë se nuk ia kanë bërë në Klinikën e Biokimisë ndërsa thekson se ka shpenzuar më tepër se 100 euro nëpër laboratorët privat.
Qytetarja gjithashtu bënë të ditur se ka blerë edhe shtesën dietetike, ‘PICO Lastic Plus’, pasi që në klinikë ka munguar.
Theksojmë se PICO Lastic Plus nuk hynë në Listën e Barnave Esenciale mirëpo klinika e Pediatrisë furnizohet me këtë produkt përmes donacioneve, por tash e një kohë ka mungesë të donacioneve me këtë produkt medicinal.
Të njejtin fat e ka edhe nëna tjetër, fëmija e saj dyshohet për fibrozë cistike. Analizën CL me djersë – përmes së cilës identifikohet nëse fëmija është me fibrozë cistike nuk është duke u bërë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
Fibroza Cistike, hynë në mesin e sëmundjeve të rralla e cila karakterizohet nga një bllokim dhe infeksion i rrugëve të frymëmarrjes dhe mangësi në tretje të ushqimit.
Ajo thotë se mjekët e kanë udhëzuar të shkoj në një laborator privat për të bërë këtë analizë pasi që në klinik nuk bëhet një e tillë.
“Duhet me shku në laborator privat. Nuk bëhet këtu më kanë thënë” – tregon ajo për Gazetën Shneta.
Analiza CL me djersë nuk është duke u realizuar në Pediatri tash e një vit për shkak të mungesës së reagensave.
Sipas drejtoreshës së klinikës, Violeta Grajqevci, aparatura është në klinik edhe personeli shëndetësor është i mjaftueshëm mirëpo mungesat e reagensave e kanë pamundësuar realizimin e kësaj analize.
“Aparatura është në klinikë, staf kemi, por nuk kemi reagenca. Sipas informacioneve që kam ka mungesë të operatorëve ekonomik për të aplikuar në tenderët për furnizim me reagenca”, thotë ajo në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Të njejtën gjë e thotë edhe shefi i prokurimit të Qendrës Klinike Universitare, Fehmi Havolli.
“Lidhur me këtë produktë QKUK ka shpallur tender me procedurë të hapur mirëpo nuk kemi pranuar asnjë ofertë. Për këtë është njoftuar njësia kërkuese dhe do të inicohet procedure e re e tenderimit”, sqaron Havolli për Gazetën Shneta.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë gjithashtu thekson se kanë mungesë të materialeve për strishon e gjakut periferik.
“Rreth dy javë kemi mungesë. E kemi bërë kërkesën në Institutin e Biokimisë. Po presim me na furnizu”, thotë ajo.
Pediatria është e ndarë në dy objekte – i vjetri dhe riu. I vjetri konsiderohet Klinika e Pediatrisë që funksionon që nga koha kur është funksionalizuar Qendra Klinike Universitare ndërsa objekti i ri ku gjenden disa reparte, është spitali i fëmijëve “Sheikha Fatima” i cili është funksionalizuar për më pak se një vit.
Laboratori në objektin e vjetër funksionon me tre laborantë, dy paradite dhe një mbasdite. Një laborant e mban orarin e punës deri në 12 orë, ndërsa në objektin e ri, laboratori i cili kryen vetëm analizat e hematologjisë funksionon vetëm deri në ora 15:00 me vetëm një laborante. Pas orës 15:00 analizat dërgon për në objektin e vjetër pasi që laboratori nuk është funksional.
Sa i përket analizave të tjera drejtoresha thotë se në klinik bëhen analizat e urinës ndërsa përgjegjës për analizat e tjera është Klinika e Biokimisë.
Gazeta ka kërkuar sqarim edhe nga drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli mirëpo i njejti deri në publikimin e artikullit nuk është përgjigjur. /Gazeta Shneta/