Personat që mbartin një variant gjenetik të lidhur me sëmundjen e Alzheimerit mund të përfitojnë nga një konsum më i lartë i mishit, duke ulur rrezikun për rënie njohëse dhe demencë, sugjeron një studim i ri nga Suedia.
Hulumtimi i publikuar në “JAMA Network Open”, analizoi mbi 2,100 persona mbi moshën 60-vjeç për një periudhë deri në 15 vite. Studiuesit u përqendruan te individët me variantet gjenetike APOE 3/4 dhe 4/4, të cilat konsiderohen faktorët më të fortë të rrezikut për zhvillimin e Alzheimerit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se personat me këto variante që konsumonin më shumë mish kishin rënie më të ngadaltë të funksioneve njohëse dhe rrezik më të ulët për demencë.
Në të kundërt, ata që konsumonin më pak mish kishin mbi dyfish më shumë gjasa për të zhvilluar demencë.
Studiuesit vërejtën gjithashtu se cilësia e mishit luan rol të rëndësishëm. Konsumi më i lartë i mishit të papërpunuar, si ai i kuq apo shpendët, u shoqërua me rezultate më të mira shëndetësore dhe madje me rrezik më të ulët vdekshmërie në këtë grup.
Gjeni APOE ndihmon në metabolizmin e yndyrnave dhe kolesterolit në organizëm dhe paraqitet në disa variante, ku APOE4 është më i lidhuri me rrezikun për Alzheimer.
Sipas studiuesve, ky variant mund të ketë origjinë evolutive në periudha kur dieta e njeriut përbëhej kryesisht nga produkte shtazore.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt se mishi ul rrezikun e demencës. Ata theksojnë nevojën për më shumë kërkime për të kuptuar më mirë lidhjen mes dietës, gjenetikës dhe shëndetit të trurit.
Në përfundim, gjetjet sugjerojnë se këshillat ushqimore mund të kenë nevojë të përshtaten sipas profilit gjenetik të individit, duke hapur rrugë për qasje më të personalizuara në parandalimin e sëmundjeve neurodegjenerative. /Gazeta Shneta/


