Një hulumtim i ri tregon se njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime ultra të përpunuara kanë një rrezik më të lartë për të vdekur herët.
Ushqimet ultra të përpunuara, si patatinat, drithërat e ëmbëlsuara për mëngjes dhe sallami, zakonisht përmbajnë ngjyra dhe aromatizues artificialë dhe shpesh janë të pasura me sheqer, yndyra të ngopura dhe kripë.
Sipas studimit të publikuar në “American Journal of Preventive Medicine”, për çdo 10 për qind rritje të përbërjes së dietës nga ushqimet ultra të përpunuara, rreziku i vdekjes së hershme rritej me 2.7 për qind, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Analiza përfshiu njerëz të moshës 30 deri në 69 vjeç nga tetë vende: Kolumbia dhe Brazili, që kanë nivele relativisht të ulëta të konsumit të këtyre ushqimeve; Kili dhe Meksika, me konsum “mesatar”; si dhe Australia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ku këto ushqime konsumohen më shumë.
“Është shqetësuese që, ndërsa në vendet me të ardhura të larta konsumi i ushqimeve ultra të përpunuara është tashmë i lartë dhe relativisht stabil për më shumë se një dekadë, në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare ai është rritur vazhdimisht,” tha në një deklaratë Eduardo Augusto Fernandes Nilson, autori kryesor i studimit dhe studiues në Fondacionin ‘Oswaldo Cruz’ në Brazil.
Lidhje por jo shkak
Studiues të pavarur paralajmëruan se gjetjet nuk tregojnë domosdoshmërisht se këto ushqime rrisin drejtpërdrejt rrezikun e vdekjes së hershme, megjithatë thanë se duhen shqyrtuar më nga afër.
“Është e mundur që faktori i vërtetë shkakor të mos jenë vetë ushqimet ultra të përpunuara, por një faktor tjetër i lidhur, si p.sh. aktiviteti i dobët fizik – dhe ushqimet ultra të përpunuara mund të jenë thjesht një spektator i pafajshëm,” tha Stephen Burgess, statistikan në Universitetin e Kembrixhit, në një deklaratë.
“Por kur këto lidhje përsëriten në shumë vende dhe kultura, kjo ngre dyshime se ushqimet ultra të përpunuara mund të jenë dhe më shumë.”
Ushqimet ultra të përpunuara janë lidhur më parë me probleme shëndetësore. Më herët këtë vit, agjencia e kërkimeve për kancer të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) gjeti se ngrënia e tyre lidhet me një rrezik më të lartë të vdekjes nga sëmundjet e zemrës, aneurizmat, problemet me tretjen dhe sëmundjen e Parkinsonit – por jo me kancerin apo sëmundjen e Alzheimerit. /Gazeta Shneta/


