Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po zhvillohet një mision humanitar me pjesëmarrjen e një ekipi të specializuar të mjekëve nga Turqia dhe organizatës ndërkombëtare Muntada Aid.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), në QKUK po zhvillohet një mision humanitar i organizatës Muntada Aid me pjesëmarrjen e një ekipi të specializuar mjekësh nga Turqia, transmeton Gazeta Shneta.
Brenda këtij misioni, janë duke u trajtuar gjithsej 12 fëmijë me probleme të lindura në zemër.
Në kuadër të këtij misioni, u krye me sukses ndërhyrja e parë e këtij lloji në Ballkan: operimi i një të porsalinduri me atresion të arteries pulmonare – një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme që kërcënon jetën.
Ky operacion u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes Klinikës së Pediatrisë, Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Klinikës së Anestezionit dhe Klinikës së Neonatologjisë, si dhe falë angazhimit të mjekëve turq dhe atyre vendor.
Ndër të tjera, ky sukses, i cili i dha foshnjës një shans për jetë normale, është pjesë e një misioni humanitar që përfshin trajtimin kirurgjikal të 12 fëmijëve me sëmundje të rënda kardiake në QKUK.
Ndërkohë, ky mision që po zhvillohet aktualisht në QKUK, dëshmon fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjes humanitare, duke u dhënë fëmijëve shpresë dhe mundësi për një jetë më të mirë. /Gazeta Shneta/




