Simptomat neurologjike të koronavirusit, kanë hutuar studiuesit për një kohë të gjatë – por një studim i ri ofron një shpjegim të mundshëm.
Vështrimi kryesor është se infeksioni viral hyn në tru përmes hundës, sugjeron hulumtimi, shkruan Express.co.uk, përcjell Gazeta Shneta.
Një studim i ri i botuar në revistën ‘Nature Neuroscience’ paraqet një shpjegim të besueshëm për këto simptoma të dallueshme.
Hulumtimi përshkruan se si SARS-CoV-2 jo vetëm pushton traktin respirator por gjithashtu ndikon në sistemin nervor qendror (SNQ), duke rezultuar në simptoma neurologjike si humbja e nuhatjes, shijes, dhimbjes së kokës, lodhjes dhe të përzierat.
E bën këtë duke infektuar trurin e njeriut përmes mukusit të hundës, ka zbuluar studimi.
Gjetja është e para nga ato që demonstron se si koronavirusi mund të hyjë në neuronet e trurit përmes rrugës mukozale.
Për të konfirmuar hipotezën e tyre, shkencëtarët në Gjermani kryen autopsi në 33 pacientë që vdiqën nga Covid-19.
Ata studiuan mukusin në pjesën e prapme të hundës – mbi gojën ku fyti bashkohet me zgavrën e hundës – si dhe mostrat e indeve të trurit.
Materiali gjenetik i koronavirusit ishte i pranishëm në sasitë më të mëdha në mukusin e zgavrës së hundës, por proteinat gjembore të SARS-CoV-2 – të cilat lehtësojnë hyrjen e virusit në qeliza – u gjetën gjithashtu në tru.
Dr. Frank Heppner, bashkëautor i studimit nga Charité – Universitätsmedizin Berlin, tha se:
“Sapo të futet brenda mukozës së nuhatjes, virusi duket se përdor lidhje neuroanatomike, siç është nervi i nuhatjes, arrinë dhe në tru”. /Gazeta Shneta/