Kortizoli, hormoni i stresit, është bërë temë diskutimesh të shumta në rrjetet sociale, ku influencues të ndryshëm rekomandojnë dieta, ushtrime dhe suplementë për ta kontrolluar. Por mjekët paralajmërojnë se shumica e njerëzve nuk kanë nevojë të “kontrollojnë” kortizolin.
Kortizoli prodhohet nga gjëndrat mbiveshkore dhe është jetik për funksionimin normal të trupit, duke ndikuar në metabolizëm, sistemin imunitar, presionin e gjakut dhe reagimin ndaj stresit. Nivelet e tij ndryshojnë natyrshëm gjatë ditës dhe rriten kur jemi të sëmurë ose të stresuar.
“Mjafton të dini se trupi e rregullon këtë hormon me shumë ndjeshmëri,” shpjegon Dr. Roberto Salvatori nga Johns Hopkins University. “Rastet ku kortizoli është shkaku i vetëm i problemeve janë jashtëzakonisht të rralla.”
Sëmundje të rralla si Cushing (niveli i lartë i kortisolit) ose insuficienca mbiveshkore (niveli i ulët) kërkojnë diagnozë të kujdesshme dhe trajtim mjekësor.
Testime të njëhershme apo suplementë të paautorizuar mund të japin rezultate të rreme dhe të shkaktojnë stres të panevojshëm.
Mjekët rekomandojnë që për shumicën e njerëzve fokusimi të jetë tek menaxhimi i stresit përmes gjumit të mjaftueshëm, ushqimit të shëndetshëm, lëvizjes fizike dhe terapive psikologjike.
“Për shumicën, nuk ka nevojë për teste të veçanta apo suplementë që premtojnë uljen e kortisolit,” shton Dr. James Findling nga Medical College of Wisconsin. “Shumë nga këto produkte nuk janë të rregulluara dhe nuk janë të padëmshme.”
Nëse ndiheni të shqetësuar për nivelin e kortisolit, mjekët këshillojnë konsultim profesional, në vend të vetëdiagnostikimit ose përdorimit të produkteve të dyshimta./Gazeta Shneta/


